Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me studentë të degëve të arkitekturës, urbanistikës dhe dizajnit të universiteteve publike dhe jopublike në Tiranë.
Takimi u zhvillua në instalacionin më të ri që i është shtuar Tiranës, “Tirana Moons”, në Sheshin “Nënë Tereza”, vepër e studios arkitekturore “Precht”.
Takimi kishte për qëllim bashkëbisedimin me të rinjtë që studiojnë për arkitekturë, mbi vizionin e së ardhmes për Tiranën, për ta bërë atë më të jetueshme, më të gjelbër dhe më miqësore.
Duke iu referuar projektit “Tirana Moons”, Manastirliu u shpreh se ky është një model që do të ndiqet edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
“‘Tirana Moons’ është oazi i gjelbër dhe krijimi i bibliotekës që rritet çdo ditë. Kjo është ajo që të rinjtë presin dhe që duan të replikohet edhe në qendra të tjera të qytetit, sepse kur flasim për qytetin policentrik, flasim për qytetin që i shërben njerëzve, dhe i shërben një dimensioni që lidhet me komunikimin. Nuk kemi vetëm për një hapësirë ku kemi vendosur gjelbërimin, por që është valorizuar, i kemi dhënë vlerë komunikimit, dialogimit dhe qëndrimit së bashku. ‘Tirana Moons’ është shëmbëlltyrë e këtij vizioni, i vendosur këtu në një shesh ikonik të Tiranës, ‘Nënë Tereza’, me gjithë harmoninë që kanë godinat përreth. Këto janë modelet që mund t’i shfrytëzojmë të nesërmen në qytetin tonë policentrik”, tha Manastirliu.
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës ndau me studentët planin për rijetësimin e hapësirave të çliruara dhe ridimensionimin e katit zero, për ta vënë atë në shërbim të qytetarëve, por edhe për të rritur vlerën e biznesit.
“Çlirimi i hapësirave publike, ky program që ne kemi nisur, për të cilin ne kemi një plan shumë ambicioz, ka ofruar deri tani mbi 1000 hapësira të çliruara, 1000 mundësi më shumë për t’i bërë të vlefshme për komunitetin dhe për të vendosur harmoninë mes asaj që ne duhet të krijojmë për fëmijët, për këndet e lojërave, sheshet e pushimit për familjet, gjithashtu edhe për biznesin, për t’i dhënë vlerën që ai ka, por duke e harmonizuar me të gjithën”, tha Manastirliu.
Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu i ftoi studentët të jenë pjesë aktive të rijetëzimit të qytetit përmes angazhimit të tyre, si profesionistë të së ardhmes.
“Rilindja urbane 2.0 nuk është vetëm një program që angazhon vetëm profesionistët, por edhe ju si studentë. Imagjinoni sa shumë mund të bëni ju, nëse të gjithë ne së bashku ngremë laboratorët e universitetit për hapësirat e përbashkëta të lagjeve në kryeqytet, për t’i riorganizuar, ridimensionuar dhe për të bërë projekte të mira”, tha kandidatja e PS për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu.

