“Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa këto ndeshje”, u shpreh trajneri i Kombëtare Sylvinho në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, ndërsa foli për ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe të ardhmen e tij në kombëtaren shqiptare.
Ai foli edhe për jetesën në Shqipëri, aktivitetin e përditshëm duke thënë se raporti human është shumë i ngjashëm me Brazilin dhe se kjo e ka bërë të përshtatet shumë mirë.
“Një pyetje e bukur. Ne tani kemi tri ndeshje shumë të rëndësishme. Më parë ishte Letonia, dhe tani na takon Serbia dhe qind për qind duhet të mendojmë për Serbinë. Nëse do të shkojmë më përpara, më pas vjen Andorra e në fund Anglia. Kur të mbyllet cikli në dhjetor, do të shohim. Unë jetoj shumë mirë këtu. Jam i kënaqur. Është një qytet që më ka pëlqyer shumë. Mund të ushqehesh shumë mirë. Unë jam nga Brazili, ndonëse jam larguar për shumë kohë nga vendi im, por ndihem plotësisht brazilian. Pastaj, kam jetuar nëpër botë, në Spanjë kam qenë për 10 vjet. Si brazilian shoh se raporti human është i ngjashëm edhe këtu në Shqipëri. Ka shumë gjëra që ma lehtësojnë jetën këtu, më ndihmon të përshtatem për të jetuar shumë mirë këtu. Sidoqoftë, ne duhet të mendojmë për këto tri ndeshje. Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa këto tri ndeshje, sidomos sesa ajo e radhës. Asgjë. As për Federatën, as për Silvinjon, për mua. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa këto ndeshje. Më pas, le ta lemë jetën të rrjedhë në qetësi”, theksoi ai.
/abcnews.al/

