Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi ndërprerjen e seancës plenare për 5 minuta.
Balla deklaroi se një deuptet i PD, ofendoi ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa po fliste në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.
Ndër të tjera, Balla tha se deputetët e opozitës, nuk mund ta kërkojnë fjalën për procedurë, dhe më pas të bëjnë kërkesë për dorëheqje të ndonjë ministri.
“U bë seanca e disatë radhazi, por sot po arrin kulmin që kërkohet fjala për procedurë, dhe për fatin tonë të mirë që kemi një opozitë pa kokë dhe pa bisht, në procedurë kërkohet dorëheqja e një ministri. Edhe këtë nuk e kishim parë, por e gëzuam sot me ju, që ju paçim sa malet.
Sepse në seriozitetin e një parlamenti, një grup deputetësh prej 7 vetësh apo më shumë se kaq, nëse u dhemb shpirti seriozisht, jo për të bërë korbin, por për të bërë politikanin e përgjegjshëm, mund të kishin ardhur këtu me një kërkesë procedurale. Dhe sapo e kemi miratuar me konsensus zhvillimin e debatit për — i bie — 10 orë të katër çështjeve që kemi sot në rendin e ditës. Javën e ardhshme ose në javët në vijim do të kemi një debat 12 orë e gjysmë, me standardin që vendosëm sot për 5 institucionet e drejtësisë që raportojnë këtu. Do ta kemi aty debatin dhe nuk mund të zhvillohet debat për një çështje që fyen familjen e të ndjerit, gjyqtarët, prokurorët, magjistratët, të cilët sot nga Kuvendi i Shqipërisë presin një mesazh solidariteti, një sinjal mbështetjeje dhe presin distancim nga persona të caktuar që te dera e gjykatës kërcënojnë prokurorin dhe gjyqtarin. Kjo është e vërteta e madhe që presin, por ne — shyqyr që ju kemi — dhe Shqipëria gjynah që ju ka juve.
Sepse që të marrësh fjalën vjedhurazi, të them të drejtën, edhe duke shfrytëzuar një lloj qytetarie pa rregullore të Niko Peleshit, i cili po ua lë atë 3 minutëshin të bëni çfarë të doni ju…
Zoti Kryetar, të lutem shumë, unë jam Kryetar i Grupit të shumicës, zbatoni rregulloren e Kuvendit: fjala për procedurë merret vetëm kur bëhet fjalë për një çështje të rendit të ditës apo një propozim për ndryshim të rendit të ditës. Dhe unë shquhem që e mbaj fjalën. Kemi bërë një diskutim në Konferencën e Kryetarëve ku na u tha që sot nuk do të ketë më teatër — merrni procesverbalin.
Dhe tjetra: dëgjova një këtu që kulturën e ka me klering, që i bërtiste ministrit sa herë fliste. Më falni: “O idiot, o idiot.” Ky njeriu këtu nuk ka vend!
Zoti Kryetar i Kuvendit, unë kuptoj që zhurma nuk ju linte, por ishte një këtu që i bërtiste ministrit: “O idiot, o idiot.” Çfarë është ky?
Tani, ky ose e tërheq mbrapsht atë që tha dhe kërkon ndjesë ministrit, ose — Zoti Kryetar — kërkoj pesë minuta pushim, ky zotëria të dalë përjashta”, theksoi ai./abcnews.al

