SHKODËR- Pasditen e kësaj të hëne u ekzekutua me tre plumba në sallën e gjyqit Astrit Kalaja, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Ai do të jepte drejtësi mbi një konflikt pronësie, mes dy palëve, të cilët pretendonin të drejtën. Policia arrestoi autorin e dyshuar të krimit, Elvis Shkëmbi. Ai e pranoi krimin duke thënë se e kreu aktin pasi po e humbte gjyqin.
Nga të shtënat mbetën të plagosur dhe dy persona të tjerë, palë në proces. Bëhet fjalë për babë e bir, Rakip dhe Ervis Sulaj.
Prona që u bë mollë sherri mes palëve
Godina e ish-Shkollës së Rezervave në Shkodër apo siç njihet ndryshe si “pallati i beqarëve” është burimi i konfliktit mes palëve.
Në vitin 1992, 31 familje me vendim të Bashkisë së Shkodrës u vendosën në godinën e ish-Shkollës së Rezervave të ndërtimit. Banorët pretendojnë se prona është shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkëmbit janë të falsifikuara.
Ndërsa familja Shkëmbi kërkonte të nxirren jashtë 31 familjet. Në gjyqin e sotëm, Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm dha vendim jo në favor të autorit dhe familjes së tij.


