Kryeqyteti u trondit mesditën e sotme nga tre të shtëna me armë zjarri në sallën e Gjykatës së Apelit, të cilat i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja. Një çështje gjyqi lidhur me një pronë në qytetin e Shkodrës u bë shkak i ngjarjes së rëndë, ndërkohë që xhaxhai i autorit, të identifikuar si Elvis Shkëmbi, e kishte paralajmëruar vetëgjyqësinë në vitin 2023.
Por kush është gjyqtari Kalaja, viktima e parë e reformës në drejtësi?
Astrit Kalaja ka lindur në qytetin e Shkodrës dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Sapo mbaroi studimet me titullin “Jurist”, emërohet në detyrën e gjykatësit në rrethin e Shkodrës. Konkretisht nga viti 1993 dhe deri qershor 2004 punoi si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Shkodër. Nga muaji Qershor 2004 dhe deri në 31 janar 2023 ka ushtruar profesionin në Gjykatën e Apelit Shkodër, ndësa vitet e fundit shërben në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Astrit Kalaja kaloi Vettingun në vitin 2019, por komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra me pretendimin se ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2, si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë brenda së cilës ndodhet edhe një ndërtim informal përdhes prej 60m2.
KPA-ja e konfirmoi në detyrë gjyqtarin Kalaja në janar të vitit 2022. Astrit Kalaja është zgjedhur edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi. / abcnews.al /

