KORÇË- Muzeu oriental “Bratko” në Korçë është një nga më unikalet në Ballkan. Çdo vizitor do të përballet me një lloj kulture të Lindjes së Largme, ku nuk mund të çojë rasti ndonjëherë dhe ta shohësh nga afër.
Në këtë muzeum mund të shohësh që nga koleksionet e shpatave të familjeve të njohura të samurajve deri tek krehërat prej fildishi të Gejshëve të njohura të shekullit të kaluar.
Në fondin e muzeumit Bratko gjenden objekte të rralla dhe unike, që do I lakmonte t’I kishte në fondin e tij çdo muzeum në botë. Qytetit të Korçës këtë dhuratë ja bëri vendlindjes së tij fotografi me famë ndërkombëtare, Xhorxh Dhimitër Mborja.
Përgjegjësja e këtij muzeumi Bojana Shukulli tregon detajet e testamentit si edhe arsyet përse duheshin gati një dekadë që të plotësohej vullneti I tij pas vdekjes, që 422 objekte të koleksionit dhe një mori fotografish të famshme të bëheshin pronë e këtij qyteti.
Xhorxh Dhimitër Mborja pas një karriere si fotograf në Hollywood shpërngulet në Lindjen e Largët si fotograf I gjeneralit të famshëm amerikan të luftës së dytë botërore Douglas McArthur (Doglas mekartur).
Ishte pikërisht kjo periudhë ku xhorxh dhimitër realizoi dhe foto të personaliteteve të larta shtetërore që nga presidentët e SHBA-ve deri tek perandori japonez.
Gjatë kësaj periudhe që është dhe koha kur ai filloi koleksionin e sendeve të mbledhura nga vendet që vizitoi. Bojana Shukulli në një rrugëtim në dy sallet e këtij muzeu tregon me detaje historitë e disa prej fotografive dhe objekteve përfaqësuese.
Pjesë e fondit janë edhe disa sende personale të Xhorxh Dhimitër Mborjes. Midis tyre dhe nje vegël muzikore e rrallë, që dëgjonte muzikë në mbrëmje para gjumit. Ai u pat thënë fqinjëve: Nëse nuk do të dëgjoni këtë muzikë do të kem vdekur. Dhe kështu ndodhi. Kur fqinjët nuk dëgjuan për disa netë këtë muzikë, njoftuan vdekjen që kish ndodhur./abcnews.al

