Është padyshim ndër më të mirët. Julian Shehu prej dy sezonesh po spikat në Poloni, dhe duket se do të marrë shpërblimin e merituar.
Mediat në Varshavë shkruajnë se mesfushori i kombëtares shqiptare ka arritur një marrëveshje me klubin e tij, Vidzes të Lodzit, për rinovim të kontratës.
Nuk jepen shumë hollësi për akordin e ri, ndërsa I vjetri përfundon në qershor të vitit të ardhshëm, por e përditshmja “Przheglad Sportovi” shkruan se ky është një lajm I madh për tifozët, të cilët ishin të shqetësuar se Shehu mund të largohej.
Një portal I qytetit të Lodzit, që është media e tifozëve të Vidzevit, shkruan se klubi i ofroi shqiptarit dyfishim të rrogës, por ndoshta rritja e pagës mund të jetë edhe më e madhe.
Historia e mesfushorit të Shqipërisë në Poloni ka dy aspekte.
Njëri prej tyre është që Vidzevi besoi tek ai dhe e priti edhe pas një dëmtimi të rëndë që pësoi, ndërsa aspekti tjetër është që futbollisti ka qenë i shkëlqyer këtë sezon me 4 gola e 3 asistë në 10 ndeshje në Kupë e në Kampionat, ku sidomos ka qenë vendimtar në Ligën Ekstraklasa.
Edhe edicionin e kaluar Julian Shehu u paraqit si protagonist ndonëse është lojtar me detyra mbrojtëse, duke shënuar 4 gola e duke dhënë një asist në ligë.
/abcnews.al/

