E ardhmja e Edoardo Reja, pikëpyetje për mungesën e firmës

schedule12:38 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 12:38 - 17 Dhjetor, 2019

Edi Reja ende nuk e ka firmosur kontratën e re si trajner i kombëtares. Pavarësisht se ka akord të plotë me presidentin e Federatës, Duka, sërish italiani zyrtarisht nuk ka rinovuar.

Pas triumfit me 4 gola në Moldavi, gjithçka u bë e qartë. Edi Reja do të vazhdonte në stolin e kombëtares shqiptare edhe për një edicion tjetër, me dëshirën e të dyja palëve për të bashkëpunuar më tej. Gjithsesi, edhe pse u tha se kontrata e re do të firmosej menjëherë pas ndeshjeve ndaj Andorrës e Francës, sërish kjo gjë nuk ka ndodhur.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për “Abc News” se presidenti Duka dhe trajneri nuk e kanë finalizuar formalisht akordin e arritur mes tyre. Marrëveshja është me gojë, verbale, bëjnë me dijë këto burime, por ende jo e firmosur.

Pra, kombëtarja shqiptare mund të quhet edhe me trajner, por edhe pa të, pasi zyrtarisht Rejës i ka përfunduar kontrata që kishte deri në fund të eliminatoreve të Europianit. Thënë kjo, nuk mund të nxirret përfundimi se italiani do të largohet.

Vazhdimësia me të është e sigurt, por ka pikëpyetje se përse vonesa është kaq e gjatë. Nuk është e lehtë të gjenden arsyet, përderisa marrëdhënia me trajnerin e kombëtares është ekskluzivitet i Dukës, por ndoshta palët nuk kanë dashur të nxitohen.

Mes tyre ka pasur bisedime për kushte më të mira pune, që lidhen me stafin dhe aspekte të tjera. Me gjasë, vonesë ka shkaktuar tronditja nga tërmeti, por edhe fakti se përderisa Reja e Duka janë dakord, nuk ka pasur arsye për t’u nxituar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!