Ky muaj shënon një pikë kthese për fëmijët e Sirisë. Pas më shumë se një dekade luftë civile, që i dha një goditje të rëndë arsimit, më në fund situata po ndryshon.
Fëmijët e Sirisë kthehen sërish jo vetëm në bankat e shkollës, por edhe drejt një të ardhmeje me më shumë mundësi dhe shpresë.
Fushata “Kthim në Mësim” ndalet jo vetëm te kthimi në klasa, por edhe një angazhim madhor ndaj arsimit si gurthemeli i rimëkëmbjes. Programi Partneriteti Global për Arsim së bashku me UNICEF dhe Save the Children kanë mbështetur fëmijët jashtë shkollës dhe ata që janë në rrezik të braktisin shkollën përmes rrugëve të arsimit joformal.
Me anë të një programi të përshpejtuar të të nxënit, arsimi të hershëm dhe mësimeve plotësuese, fëmijët fitojnë aftësitë themelore, duke e pasur më të lehtë kalimin e tyre në shkollimin normal.
Hayat është një nga vajzat që iu rikthye shkollës dhe tregoi për Associated Press ëndrrat për të ardhmen.
“Puna ime e ëndrrave në të ardhmen është të bëhem mjeke, pediatre, sepse më pëlqejnë shumë fëmijët. Nëna ime është e arsimuar dhe më jepte mësim në shtëpi gjatë gjithë kohës dhe më përsëriste se duhet të isha gati të kthehesha në shkollë çdo ditë. Kështu që u përpoqa të studioja në shtëpi me të”
Deri më sot, më shumë se 15 mijë fëmijë kanë kaluar në shkollimin formal falë programit ndërkohë mbi 178,000 fëmijë janë të regjistruar në rrugë arsimore joformale.
Për familjet dhe mësuesit, kthimi në shkollë është më shumë sesa një moment historik akademik, është një angazhim për paqen, qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e fëmijëve të Sirisë.
Konflikti i zgjatur në Siri dhe tërmeti shkatërrues i vitit 2023, krijuan sfida të mëdha humanitare, ekonomike dhe sociale, duke ekspozuar miliona fëmijë ndaj dhunës, zhvendosjes dhe traumave.
Në një situatë ku 90% të sirianëve jetojnë në varfëri, papunësi dhe çmime të larta të ushqimeve, arsimi hap një dritare të re shprese.
Programi Partneriteti Global për Arsim, drejtohet nga kryeministrja e Italisë Georgia Meloni dhe presidenti nigerian, Bola Ahmed Tinubu. Fushata e tyre synon të ndryshojë rrjedhën e krizës globale të arsimit, ndërsa bota ndodhet në një pikë kthese me vatra të nxehta konfliktesh dhe një ekonomi të paqëndrueshme./abcnews.al

