NEW YORK- Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në intervistë me “Real Story” i bëri apel klasës politike shqiptare duke kërkuar prej saj, që ligjet që propozohet dhe miratohen në Kuvend, të jenë në interes të kombit dhe të qytetarëve.
Kreu i Shtetit u shpreh se gjatë detyrës së tij nuk do të përfshihet në debatin politik të ditës, duke shtuar se roli i tij kushtetues është ruajtja e neutralitetit dhe paanësia. Ai foli dhe për ligjet e kthyera, të cilat sipas tij, janë publike dhe çdokush mund t’i konsultojë ato.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: z.President në deklaratën tuaj publike pasi zgjedhjeve dhe dekretimit të ministrave ju i bëtë thirrje maxhorancës që të mirëpërdorë pushtetin e gjatë dhe të zgjeruar që i kanë dhënë shqiptarët, kjo tregon se ju jeni i shqetësuar për mundësinë e abuzimit me një pushtet afatgjatë?
Presidenti Bajram Begaj: Jo, deklarata ime kishte të bënte me faktin që ky pushtet i maxhorancës të përplotësohet nga një opozitë aktive ku debati të jetë konstruktiv dhe ku ligjet që do miratohen të jenë të tilla në interes të kombit dhe në dobi të interesit të qytetarëve tanë.
Sokol Balla: Dikush mund të pyesë, çfarë ka bërë Presidenti për të kontrolluar këtë pushtet të madh të maxhorancës? Sa ligje ka kthyer, sa debate ka hapur ..
Presidenti Bajram Begaj: Pyetja juaj qëndron sepse në ambientin tonë shoqëror pyetje të tilla ngrihen dhe janë pjesë e kulturës politike. Mendoj që pozicioni i Presidentit të Republikës është i përcaktuar qartë në kushtetutë dhe se Presidenti duhet të ushtrojë detyrën e vet në neutralitet dhe paanësi. Çdo devijim nga ky postulat do të bënte që Presidenti të shkelte Kushtetutën dhe unë mendoj që mospërfshirja e Presidentit të Republikës në debatin e politikës së ditës është gjëja e duhur që unë do ta bëj gjatë gjithë kohës së mandatit tim. Për të ardhur te pyetja juaj sa ligje janë kthyer apo kush do të ushtrojë kontrollin e maxhorancës, në sistemet demokratike ndarja e pushteteve është e përcaktuar qartë dhe presupozohet që pushteti i ekzekutivit kontrollohet nga opozita dhe opozita në këtë rast duhet të jetë një opozitë e fortë, një opozitë e cila do të bëjë të mundur që qeveria të bëjë gjënë e duhur. Abuzimi me pushtetin nuk varet nga numrat. Mund të kesh numra minimalist dhe të abuzosh me pushtetin. Ndërsa sa i përket ligjeve të kthyera unë besoj se ato ligje që janë kthyer janë publike dhe janë në interes të publikut./abcnews.al

