“Nuk janë më të mirë dhe paguhen 3-fish më shumë”, menaxheri Grillo kundër Duros

schedule08:41 - 17 Dhjetor, 2019

schedule 08:41 - 17 Dhjetor, 2019

Trajnerët e huaj kanë qenë temë diskutimi shpesh herë në vendin tonë, kjo për shkak se nuk kanë arritur ndonjë sukses të madh. Gjithashtu edhe çështja e pagesave të tyre është shpesh herë temë diskutimi.

Një ditë më parë, ishte trajner Shpëtim Duro ai që në një intervistë për “ABC News” u shpreh se trajnerët e huaj paguhen 3-fish më shumë nga vendasit, ndërkohë që nuk janë më të aftë profesionalisht.

“Ana profesionale e shumë trajnerëve në Shqipëri është e një niveli shumë më të lartë se ajo e nivelit të trajnerëve që kanë ardhur në Shqipëri. Po t’i hedhim një vështrim 10 viteve të fundit, janë trajnerët shqiptarë që kanë pasur suksese edhe në fitimin e kampionateve, edhe në fitimin e Kupave, edhe në kupat e Europës.

Kanë dëshirë klubet, se unë e kam edhe eksperiencë, që t’i paguajnë trefish më shumë se ne, por që në nivelin profesional janë poshtë nesh”, shprehej Duro në intervistën e dhënë për gazetarin Bledar Kuka. Deklarata e trajnerit të Kukësit ka ngjallur diskutime.

Trajneri Shpëtim Duro, gjatë intervistës për ABC News

Komentatori dhe menaxheri Kosta Grillo, pavarësisht miqësisë që ka me trajnerin e verilindorëve, nuk bie dakord me të në një pikë dhe ka të bëjë me pagesat e trajnerëve të hua. “Trajnerin Duro e kam mik dhe e vlerësoj jashtëzakonisht, por mendoj se është shprehur gabim”, komenton Grillo në lajmin e ABC News.

Më tej ai vijon me argumentimin e tij, se pse Duro gabon me atë që thotë. “Duro e ka gabim, pasi i bie që trajnerët në FYROM ose Maqedoninë e Veriut duhej të ankoheshin kur ai paguhej më mirë se ata te Shkëndija e Tetovës. Në çdo vend të botes, trajnerët e importuar, daç të mirë daç jo të mirë, paguhen më mirë se vendasit”, përfundon Grillo. / abcnews.al

Komenti i Kosta Grillos, në lajmin e publikuar nga ABC News në rrjetet sociale