Seanca e parë paraprake për dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta nuk u zhvillua për shkak se mungonte avokati i Metës, Kujtim Cakrani, për shkaqe shëndetësore.
Të enjten, në Gjykatën e Posaçme, u paraqit edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, që është e bashkëpandehur në të njëjtin proces. Kjo dosje, në fazën paraprake, gjykohet nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila më herët ka kërkuar dorëheqjen nga kjo çështje, por ajo u refuzua nga gjyqtari Erion Bani.
Kryemadhi tha se është skandalizuar nga aktet hetimore të dorëzuara në gjykatë nga SPAK. Seanca e radhës u shty për më 9 tetor, ditë kur edhe Gjykata e Lartë shqyrton në dhomë këshillimi rekursin e radhës të Metës për revokimin ose ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ku mbahet prej tetorit të kaluar.
SPAK ka mbyllur hetimet dhe i ka kërkuar gjykatës të vijojë procesi për Metën dhe ish-deputeten Monika Kryemadhi, për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Përveç çiftit të ish-bashkëshortëve, të pandehur janë marrë edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, dhe Ema Çoku për pastrim parash, ndërsa ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, për akuzën e korrupsionit./abcnews.al

