Nuk kishte shumë njerëz që gjatë verës patën shumë besim. Milani vuajti për të marrë disa nga lojtarët që deshi, e ndoshta vetëm një Modriç e Jashari mund të veçoheshin si goditje të vërteta, por koha po u jep të drejtë atyre që nisën këtë projekt.
Nën drejtimin e trajnerit Masimiliano Alegri, i cili mund të mos jetë njeriu më spektakolar në futboll, por që është me shumë përvojë dhe autoritet, kuqezinjtë kanë nisur një seri suksesesh menjëherë pas humbjes së rëndë në ndeshjen e parë në kampionat.
Kualifikimi në Kupën e Italisë, një 3-0 ndaj Leçes në “San Siro”, ndoshta nuk është prova më e mirë e ngjitjes drejt lavdisë së dikurshme, por gjithsesi ishte fitorja e katërt radhazi pas dështimit ndaj Kremonezes.
Edhe pse puljezët mbetën me 10 lojtarë, sërish mënyra sesi Milani luajti i bëri tifozët të lumtur.
Golat u shënuan nga Santiago Himenez në pjesën e parë, nga sulmuesi i ardhur më vonë, Nkunku pas pushimit si dhe nga i përhershmi Pulishiç në 64’.
Vlen të theksohet se mesfushori I Shqipërisë, Medon Berisha, ishte kapiten për Leçen, aspak gjë e vogël për një 21-vjeçar.
Milani I Alegrit, ndërkaq ka 4 fitore radhazi siç e theksuam më lart dhe me golaverazhin 9-0. Një 2-0 në Leçe, 1-0 kundër Bolonjës me klasin e kroatit Modriç, 3-0 në Udine dhe tani 3-0 po ndaj puljezëve, veçse në Kupë. Pra, drejtori sportiv Igli Tare ka ndërtuar ekipin e duhur, dhe ia ka lënë në duar timonerit të duhur./abcnews.al

