Nuk ishte thjesht humbja e një ndeshjeje. Besohet se Armando Broja humbi një mundësi për t’i treguar trajnerit të tij, Skot Parker, se meriton të jetë titullar dhe të luajë shumë kohë për Bërnlin.
Skuadra e tij u mund në shtëpi nga Kardif Siti dhe u eliminua nga Kupa e Ligës në Angli, e njohur si Kupa Karabao, ndërsa bëri pak në 78 minuta që iu dhanë në dispozicion nga tekniku.
Jo vetëm që humbi një rast të pastër, diçka që mund të ndodhë, por edhe nuk u përfshi aq shumë në lojën e ekipit.
Statistikat në “sofaskor” e tregojnë qartë me vetëm 24 prekje topi, me një tentativë të vetme për driblim, me shumë pak duele, nëntë gjithsej në ajër e në tokë, nga të cilët fitoi vetëm tre.
Kardif u kualifikua me meritë për në raundin tjetër me suksesin 2-1 jashtë fushe, falë golave të shënuar që në pjesën e parë nga Robinson e Koluill.
Për Bërnlin nuk mjaftoi rrjeta e Flemingut shpejt në pjesën e dytë.
Natyrisht, nuk duhet të harrojmë se Broja pati paraqitje tjetër në ndeshjen e raundit të kaluar gjithashtu në Kupën e Ligës, kur shërbeu asist për gol në fitoren 2-1 të të vetëve ndaj Derbi Kauntit.
Ndërkaq, sulmuesi kuqezi ka vetëm pak minuta në Premier Ligë, dhe pikërisht në humbjen e 10 ditëve më parë në shtëpi ndaj Liverpulit, kur u aktivizua në fund, ndërsa kundër Notingem Forestit ishte gjatë gjithë kohës në stol.
Si përfundim, ndërsa afron Serbia për Kupën e Botës, Armando nuk ka as shumë minuta në fushë, dhe as formë shumë të mirë, por më e rëndësishme është që nuk po dëmtohet./abcnews.al

