Pas katër vitesh kërkimesh intensive në Arkivat e Vatikanit, studiuesja dhe kërkuesja e pasionuar Nusha Zhuba ishte sot në “ABC e Mëngjesit” për të ndarë me publikun një pasuri të rrallë dokumentare që hedh dritë mbi treqind vite histori shqiptare (1638–1914).
Zhuba, në libri e saj të ri “Nga Zadrima për dioqezën e Sapës” sjell për herë të parë materiale origjinale dhe të pabotuara më parë të Propaganda Fide, të shkruara në shqip dhe italisht, që lidhen me Dioqezën e Sapës, një territor i gjerë që përfshin Shkodrën, Lezhën, Pukën dhe Tropojën.
Në këtë korpus unik prej 11 relacionesh origjinale, përmes emrave të mëdhenj si Frang Bardhi, Leonardo de Martino e Gjergj Koleci, zbulohen të dhëna të rralla dhe shpeshherë të harruara: si statistika të hollësishme,përshkrime të fshatrave që sot nuk ekzistojnë më,
zakone, tradita, struktura sociale dhe jetesa e shqiptarëve ndër shekuj.
Fshatra si Iballa, Mërturi, Arësi, Berisha, Koman, Kabash, Kryezi, Troshan, Nënshat, Gjadër, Dajç, Mnelë, Gryka e Gjadrit, e deri në Korthpulë, marrin jetë përmes fjalëve të atyre që i pane, vizituan e jeten dhe i përshkruan me saktësi dhe ndjeshmëri historike.
Një nga pyetjet që ka udhëhequr kërkimet e Nusha Zhubës në arkivat e Vatikanit ishte origjina e familjes së Dukagjinëve. “Gjithmonë më ka munduar pyetja – thotë ajo – nga vinte kjo familje: nga Dukagjini i sotëm, nga Oroshi, nga Mati, nga Lezha, nga Kosova, Upljana? Përgjigjen e gjeta në një dokument të rrallë të shekullit XVII.” Ky zbulim – dhe të tjera si ky – do të pasqyrohen në një libër të ri që ka dalë që nga dita e sotme nëpër librari, me dokumente autentike të nxjerra nga vetë Arkivat e Vatikanit.


