Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, ngriti pikëpyetje serioze mbi mënyrën si po trajtohet gjyqi nw Hagw ndaj ish-krerwve tw UÇK, duke theksuar mungesën e sinqeritetit institucional ndaj luftës çlirimtare. Sipas tij, Parlamenti dhe Presidenca e Kosovës duhej të ishin më aktive dhe të mos prisnin sinjale politike nga Tirana për të ndërmarrë qëndrime të qarta në mbrojtje të historisë së vendit.
Çejku theksoi se procesi në Hagë nuk është më thjesht ligjor, por ka marrë përmasa të theksuara politike, duke ngritur dyshime se një vendim përfundimtar do të ndikohet nga llogaritë strategjike dhe interesat ndërkombëtare. Ai vuri në dukje se ekziston një përplasje e hapur mes qëndrimeve të SHBA-së dhe disa vendeve të Bashkimit Europian mbi çështjen e drejtësisë për luftën në Kosovë, ndërsa shprehu mosbesim në profesionalizmin dhe kapacitetin e trupës gjykuese për të përmbyllur procesin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme.
Duke e cilësuar procesin si një “mosseriozitet të madh”, Çejku shprehu shqetësimin se përfundimi i fazës së dëshmive në dhjetor do të përkojë me zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat sipas tij do të pasohet nga zgjedhje të parakohshme parlamentare, një zhvillim që do të thellojë edhe më shumë paqartësinë politike në vend.
“Nuk ka sinqeritet ndaj luftës. Parlamenti dhe Presidenca duhet të ishin aktive nuk duhet të prisnin sinjale nga Tirana. Problemi është që a u leverdis edhe atyre në Hagë që të merret në vendim politik?! Për mua do të ishte më mirë që në fund të procesit ata të fitonin pavarësinë. Ka dalë në skenë një përplasje Europiane dhe amerikane në lidhje me këtë çështje. Nuk e di se sa të aftë do të jenë ata prokurorë dhe gjyqtarë, për të zgjidhur çështjen. I gjithë ai proces më duket një mosseriozitet i madh. Kam drojën se si do të vazhdojë më tutje. Në dhjetor mbyllen të gjitha diskutimet dhe dëshmitë. Të mos harrojmë që në dhjetor kalojmë zgjedhjet lokale dhe do të ketë zgjedhje të parakohshme nuk ka asnjë zgjidhje tjetër”, tha ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku.
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023.
Sipas akt-akuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
/abcnews.al

