“E pash edhe vetë që jam duke vdekur dhe për të mos e lënë një djalë jetim. Vendosa që të shtrohem, që ti lë të gjitha”.
Janë fjalët e një 40 vjeçari i cili tani i është futur një beteje me të shkuarën, varësisë nga alkooli dhe droga.
Ishte vetëm 14 vjeç, kur mes rreziqeve të një adoleshence në kohë të vështira dhe ëndërrave për të ardhmen, ra pre e “jetës së rrugëS”.
Ai tregon se alkooli, nga një gotë me shoqërinë, u kthye në mikun e përbetuar të tij.
“14 vjeç e kam filluar dhe e pinim për natë. Shoqëria, një gotë sot e një nesër. Pastaj të hy në gjak dhe se lë dot. Shkatërron familjen e çdo gjë. Sherre e probleme, duke u zënë edhe me njerzit.”
Dekada mes klubeve dhe spitalit.
“Veten e kam parë shpesh ngushtë, 5 herë kam ardhur këtu në gjendje kome, e fundit ka qenë para 3 ditësh, veç nga droga dhe alkool”.
Kostot e alkoolit janë të shumta për 40 vjeçarin, nga ata shëndetësore, tek transformimi i tij si njeri. Duke e larguar nga të afërmit e shoqëria.
“ I kam copë-copë mushkëri e mëlçi, tani i dëgjoj se më herët jo. Më thonë mjekët si je gjallë. Nuk të flet në rrugë njeri, thonë ja ai pijaneci. Të përbuzin. Një fjalë me ta thënë të duket sikur po të ofendojnë. Më vjen zor nga kushërinjt, shmang rrugën se me vjen turp. E pij kafen në një vend që mos t’më shoh njeri.”
Alkooli nuk i rrëmbeu vetëm rininë, por, i lëndoi edhe njerëzit më të dashur. Me lot në sy, Dritani tregon se sa dhimbje ndjen kur kujton se si djali 7 vjeçar, përjetonte trauma kur e shikonte të atin të dehur.
“Nënën e nusen i kam çuar në depresion disa herë. Djalin e kam bërë me trauma nga frika, më dallon nga sytë sa të futem brenda në shtëpi, nëse kam pirë apo jo. Sa më sheh thotë mami nuk paska pi sot, ndryshe futet në krevat dhe ka frik se i rrah të ëmën. Rri me gishta në vesh. I kam torturuar shumë”.
Dritani prej ditësh po merr terapi për të disatën herë në shërbimin e toksikologjisë në QSUT. Me shpresën se kjo do jetë hera e fundit, mirënjohjen e ka të pafundme ndaj asaj që ka saktrifikuar më shumë prej tij, familjes.
“Familjes time nuk ia shlyej dot derisa të vdes. Edhe i kam detyruar e rrahur, dhe prapë më kanë ardhur nga mbrapa”.
Për të rinjtë dhe ata që ndodhen në të njëjtën situatë si 40 vjeçari, Dritani ka edhe një mesazh…
“Ju bëj thirrje të gjithëve, nuk është vonë edhe 50 vjeç me e heq. Shkatërron trupin, edhe familjen e çdo gjë”.
Apelit të Dritanit, edhe bluzat e bardha shpesh herë kanë bërë thirrje për të qëndruar sa më larg pijeve alkoolike apo substancave narkotike, sidomos nga të rinjtë. Pasi sipas ekspertëve, këto vese nuk kanë vetëm kosto shëndetësore, por, janë shkatërrimtare për individin. / abcnews.al /


