Nga 11 shtatori deri më 10 tetor 2025, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë në Tiranë, publiku shqiptar ka mundësinë të përjetojë një nga ngjarjet më të veçanta artistike të vitit: ekspozitën personale të artistit bashkëkohor Jakup Ferri, një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të artit, që për herë të parë vjen me një ekspozitë solo në Shqipëri.
Ekspozita mban titullin “TEMPO”, dhe ajo shpalos një botë surreale, të mbushur me ngjyra, figura dhe ritme, që vallëzojnë mes reales dhe imagjinatës. Në studion e emisionit ABC-ja e Mëngjesit, Jetona Koçibelli, Drejtoreshë e Qendrës për Hapje dhe Dialog, e përshkruan këtë ekspozitë si “një dritare mes botës së brendshme të artistit dhe realitetit tonë kolektiv, një ftesë për të ndalur ritmin e përditshmërisë dhe për të dëgjuar një ‘Tempo’ tjetër, atë të shpirtit”.
Përtej sukseseve në art, historia e Jakup Ferrit ka një rrënjë të thellë edhe në kujtesën historike të popullit shqiptar. Ai mban emrin e katragjyshit të tij, Jakup Ferri, një figurë heroike e rezistencës shqiptare, i njohur për guximin dhe sakrificën e tij në mbrojtje të trojeve dhe identitetit kombëtar./abcnews.al

