Sherr për pronat në dy familje, policia parandalon masakrën

schedule13:01 - 16 Dhjetor, 2019

schedule 13:01 - 16 Dhjetor, 2019

Përmes një njoftimi për median shërbimet e Komisariatit nr.6 në Tiranë kanë njoftuar se kanë bërë të mundur parandalimin e një krimi që mund të ndodhte për shkak të një konflikti për pronat.

Sipas policisë janë konfliktuar fizikisht dy persona, D. N., 45 vjeç dhe K. D., 27 vjeç, të dy banues në Ndroq.  Konflikti fizik më pas është agravuar duke bërë që 45 vjecari të qëllojë me kazmë 27 vjeçarin duke e i shkaktuar plagë të shumta.

Pas kësaj 27 vjeçari ka marrë armën e gjahut dhe ka shkuar në shtëpinë e 45 vjeçarit për ta qëlluar por policia ka ndërhyrë në kohë duke bërë neutralizimin e 27 vjeçarit dhe parandaluar një vrasje të mundshme.

Për të dy personat janë marrë masat e ndalimit dhe shoqërimit nën akuzat e plagosje e rëndë me dashje dhe vrasje e mbetur në tentativë.

Njoftimi i policisë: 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale për motive pronësie.

Marrja në kohë e informacionit dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 6 parandaluan përshkallëzimin e një konflikti mes disa shtetasve.

Arrestohen në flagrancë dy shtetas, si dhe bllokohet arma e gjahut me fishekë, të cilën njëri nga shtetasit e posedonte me leje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Fshatin Shesh, Ndroq po ndodhte një konflikt i ashpër midis disa shtetasve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasit:

– D. N., 45 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.

– K. D., 27 vjeç, banues në fshatin Shesh, Ndroq.

Arrestimi në flagrancë i shtetasve të sipërpërmendur u bë pasi, në fshatin Shesh, Ndroq, shtetasi D. N. për motive pronësie ka goditur me mjet të fortë (kazmë) shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë.

Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së gjahut me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krimin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të D. N dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”, në ngarkim të shtetasit K. D”./abcnews.al