Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka konsideruar “luftë ndaj fjalës së lirë”, paketën anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend.
I pranishëm në Aktivitetin e përvitshëm të Akademisë Politike, Basha tha se asgjë nuk bëhet rastësisht dhe se qeveria kërkon të fshehë dështimet dhe abuzimet përmes censurës së medias.
“Nuk ka demokraci pa liri fjale. Kjo qeveri dhe ky kryeministër do të paraqesin të mërkurën dy projektligje që janë shpallje lufte ndaj fjalës së lirë. Asgjë nuk është e rastësishme. Kjo qeveri do të fshehë abuzimet e saj përmes censurës së medias, ja pse i duhet paketa e ashtuquajtur anti-shpifje. Sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, kemi zbritur 8 vende gjatë viti të undit, duke e futur Shqipërinë në të njëjtin vend me Kolumbinë e Tailandën. Në Shqipëri ka një brez të ri, i gatshëm të marrë përsipër fatet e shqiptarëve. Kemi nisur punën për ligj të ri për arsimin e lartë, sot dhe nesër në fokus do jetë ekonomia dhe administrimi i biznesit. Do anulojmë konçesionet dhe aferat korruptive. Do bëjmë gjithçka që të rinjtë të qëndrojnë këtu. Kjo qeveri është e vendosur të vazhdojë kurthin e saj për të penguar integrimin në BE. Paketa anti-shpifje e Edi Ramës, luftë e hapur kundër fjalës së lirë të medias. Kjo qeveri sjell varfëri, papunësi dhe emigracion. Kjo është e vërteta e hidhur e Edi Ramës. Ne do të rritim pagat e mjekëve dhe infermierëve deri në 1200 euro” , tha Basha.
Kreu i opozitës theksoi edhe njëherë se kushtet e vendosura nga Bundestagu janë udhërrëfyesi për nxjerrjen e Shqipërisë nga situata politike ku ndodhet, ndërsa shtoi se beteja për votën e lirë është jetike për vendin.
“Nëse nuk arritëm të sigurojmë votën e lirë, asnjëherë nuk do të kemi qeveri të përgjegjshme, prandaj beteja jonë për votën e lirë është jetike për mirëqenin e qytetarëve, por edhe bashkimin e Shqipërisë me BE. Sot është koha për ta thënë qartë se kemi humbur shumë mundësi këto vite, sepse veç miliardave, Shqipëria ka humbur 6 vite. Kushtet Bundestagut janë udhërrëfyesi ynë. Koha nuk pret. Me show e propagandë nuk ja hedh dot as Merkel as Macron. Është urgjente të nisë koha sa më parë, pasi koha është e shkurtër për plotësimin e kushteve të Bundestagut”, u shpreh kreu i PD./abcnews.al