Jemi mësuar që Federata të gërmojë, gjejë dhe më pas të bindë lojtarë me origjinë shqiptare të lindur dhe rritur jashtë vendit për të veshur fanelën e kombëtares.
Por një rrugë të kundërt ka vendosur të ndjekë Adrian Bajrami. Mbrojtësi me origjinë nga Ohri, është larguar pas tri vitesh nga përfaqësuesja kuqezi, duke zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën në të ardhmen.
I lindur në Luzernë, futbollisti 23 vjeçar që është pjesë e Benfikës u grumbullua për herë të parë në vitin 2022 në skuadrën kuqezi. Që nga ajo kohë është ftuar rregullisht, por minutat e aktivizimit I ka patur me pikatore.
Ndoshta kjo është një arsye që ai ka vendosur të braktisë kombëtaren e Shqipërisë për Zvicrën, siç konfirmon Federata Shqiptare e Futbollit.
Sipas saj, Adrian Bajarami ja ka komunikuar vendimin trajnerit Sylvinjo, që bashkë me largimin e mbrojtësit dhe sëmundjes së Ylber Ramadanit është detyruar të ndryshojë listën e futbollistëve për dy ndeshjet e shtatorit.
Një tjetër mungesë është edhe ajo e Ernest Muçit, që ka dhimje mesi.
Për të zëvendësuar këta tre lojtarë, Sylvinho ka vendosur të ftojë Maldini Kacurrin, Cristian Shpendin dhe Enis Çokaj.
Dy të parët janë debutues në kombëtaren e parë, pasi kanë luajtur më parë me skuadrën U 21. Ndërkohë, për Çokaj bëhet fjalë për një rikthim në përfaqësuesen e madhe.
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë më 4 shtator kundër Gjibraltarit një sfidë miqësore, ndërsa më 9 shtator do të zbresë në “Air Albania” për sfidën kundër Letonisë në kualifikueset e “Botërorit 2026”.


