Tre javë nga aktivizimi i portalit Hapësira Ime Publike janë evidentuar nga qytetarët mijëra raste të ndërtimeve apo zaptimeve pa leje.
Deri këtë të shtunë janë regjistruar mbi 8000 denoncime. Nga këto, 3053 raste kanë marrë zgjidhje ndërsa 5122 të tjera janë në proces verifikimi.
Numri i lartë i raportimeve vetëm nga qytetarët tregon se aksioni do të zgjasë në kohë. Jo më kot edhe vetë kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se ky proces do ti marrë qeverisë, jo pak por plot 4 vite.
Një sinjal që kjo lëvizje jo vetëm është e duhura por meriton një vëmendje afatgjatë, pse jo edhe një ministri, që dikur ka ekzistuar, pikërisht ministria e zhvillimit urban, në mandatin e parë të Edi Ramës.
Vetë kryeministri është angazhuar se aksioni për pastrimin e territorit do të vijojë pa ndërprerje. Këtë të shtunë Rama publikoi pamje nga shpërthimi me tritol i një resorti në Durrës, bashkë me një mesazh për kritikët.
“Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin “po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në Veri, Jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit”, thotë Rama.
Në më shumë se dy muaj janë liruar mijëra hapësira pa leje, ndërsa qeveria ka paralajmëruar masa ndëshkimore për shkelësit e saj, përfshirë edhe një ligj që parashikon një listë të zezë për ndërtuesit të cilët nuk rrezikojnë vetëm gjoba por edhe mundësinë të mos marrin sërish leje ndërtimi.,

