U mendua se mund të ishte edhe titullar, por nuk ndodhi kështu. Gjithsesi, lajmet e mediave iraniane ishin të vërteta, se trajneri i Esteglalit, Sa Pinto, do ta aktivizonte pa vonesë Jasir Asanin.
Vetëm tri-katër ditë pas mbërritjes në Teheran, lojtari i kombëtares shqiptare debutoi në futbollin e vendit të madh aziatik, madje prania e tij u ndje. Esteglal po humbiste me shifrat 3-1 në pjesën e parë në ndeshjen e kampionatit, ndonëse po luante në shtëpi ndaj Zob Ahanit.
Asani hyri pas pushimit dhe ndihmoi skuadrën që të reagonte. Ai mori pjesë në aksionin e golit të dytë shënuar në minutën e 49-të nga Alireza Kushki, që ishte gjithashtu autor i rrjetës së parë në barazimin e përkohshëm 1-1.
Më pas, ylli kuqezi pati edhe mundësi të shënonte vetë, por gaboi përpara portierit. Gjithsesi, debutimi mund të cilësohet pozitiv, dhe mediat në Iran shkruajnë se ardhja e një lojtari si Asani, dhe nga një ligë e fortë si ajo e Koresë së Jugut, do të ndihmojë Esteglalin, por edhe rritjen e nivelit të kampionatit iranian.
Në fund, në minutën e katërt shtesë, ekipi I shqiptarit barazoi falë rrjetës së zgjuar nga Ramin Rezaiean, duke marrë të paktën një pikë nga një ndeshje që po e humbiste. Esteglal ka 4 pikë pas dy javëve të para, dhe shpreson të fitojë titullin e parë që nga viti 2022./abcnews.al

