Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Franca në krizë politike/ Bayrou kërkon votëbesim mes revoltës politike dhe kërcënimit ekonomik

schedule10:03 - 26 Gusht, 2025

schedule 10:03 - 26 Gusht, 2025

François Bayrou ka vendosur ta çojë situatën përpara. Kryeministri francez do të kërkojë një votëbesim për qeverinë që më 8 shtator, përpara debatit mbi Ligjin e Buxhetit që është parashikuar për në vjeshtë.

Kryeministri francez, i cili nuk ka një shumicë parlamentare, ka njoftuar se dëshiron t’i paraqesë Asamblesë Kombëtare një votim “mbi përgjegjësinë e qeverisë” dhe mbi “çështjen thelbësore të kontrollit të financave tona”. Ligji i buxhetit i paraqitur nga ekzekutivi për vitin 2026 parashikon një plan shtrëngimesh të pa shembullta, me objektivin për të shkurtuar 44 miliardë euro nga deficiti.

Prej javësh Bayrou është nën presion për të korrigjuar, rishikuar apo anuluar disa nga masat e parashikuara. Ministrat kishin nisur negociata të vështira me liderët politikë për të përcaktuar kompromiset dhe ndryshimet. Papritur, kryeministri vendosi dje të ndryshojë kalendarin: fillimisht një votëbesim për qeverinë dhe për objektivin e shkurtimit të 44 miliardëve, dhe vetëm më pas diskutimi në detaje i masave individuale.

Një rrezik politik i madh, sidomos pas rrëzimit të Michel Barnier-it në dhjetorin e kaluar pikërisht për shkak të mosmiratimit të Ligjit të Buxhetit. La France Insoumise, komunistët dhe të Gjelbrit njoftuan menjëherë se do të votojnë kundër ekzekutivit. Kësaj radhe edhe Marine Le Pen e ka tërhequr mbështetjen që muajt e fundit e kishte dhënë, të paktën në formën e abstenimit. Fatin e qeverisë do ta vendosë Partia Socialiste, e cila është kthyer në faktor vendimtar. Sekretari i Partisë Socialiste, Olivier Faure, dha një paralajmërim mbrëmë, duke thënë se në situatën aktuale do të ishte “e paimagjinueshme që socialistët të votonin për votëbesimin” ndaj kryeministrit.

Në konferencën për shtyp të djeshme, Bayrou përshkroi imazhin e një France në rrezik, të detyruar të heqë dorë nga investimet për të frenuar një borxh që është kthyer në një “rrezik të menjëhershëm”.

Nëse Asambleja e rrëzon, paralajmëroi ai, “nuk do të jetë e mundur të ecet përpara”. Një mungesë e votëbesimit do të hapte kështu një krizë të re politike. Emmanuel Macron, megjithëse disa herë ka përjashtuar mundësinë e një shpërndarjeje të re të Asamblesë Kombëtare, pas vendimit të papritur për ta shpërndarë atë më shumë se një vit më parë, do të detyrohej të marrë sërish në konsideratë hipotezën e zgjedhjeve të parakohshme.

Votimi për votëbesimin ndaj qeverisë Bayrou do të zhvillohet në prag të mobilizimit kundër Ligjit të Buxhetit, organizuar në rrjetet sociale me mbështetjen e së majtës radikale por edhe të grupeve autonome që evokojnë fantazmën e një rikthimi të jelekverdhëve. Sindikatat, të cilat janë kundër “goditjes” së Bayrou-t, kanë njoftuar gjithashtu protesta dhe greva.

Ndërkohë tregjet kanë përpara një skenar negativ. Pas deklaratave të Bayrou-t dhe reagimeve të liderëve të opozitës, interesat e bonove shtetërore franceze u rritën në nivelin më të lartë që nga marsi, me një rritje të diferencës ndaj bonove gjermane me gati 7 pikë bazë. Është rritja më e madhe brenda një dite që nga qershori i vitit 2024, në prag të zgjedhjeve legjislative që prodhuan parlamentin aktual pa shumicë.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!