Mbyllet ARMO, qeveria në kërkim të një investitori të ri

schedule18:49 - 17 Janar, 2018

schedule 18:49 - 17 Janar, 2018

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh e Fier është mbyllur. Grupi investitor në këtë rafineri është larguar, duke lënë afro 60 milion dollarë borxhe të papaguara, ndersa qeveria ka miratuar një vendim të menjëhershëm për të paguar sa më parë me asistencë naftëtarët që mbeten pa punë.

Rafineria e vetme përpunimit të naftës në Shqipëri ARMO është mbyllur. 1200 punëtorë të uzinës së Fierit dhe Ballshit janë të papunë, ndërsa grupi investitor IRTC Oil është larguar.
Në një konferencë për shtyp, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se qeveria ka miratuar një vendim për të përshpejtuar procedurat e dhënies së pagesës së papunësisë për të gjithë naftëtarët.

Arben Ahmetaj: “Qeveria qëndron e angazhuar të jetë pranë naftëtarëve duke i ndihmuar me procedurat duke i vënë në dispozicion zyrat e punës në mënyrë që ata të fitojnë menjëherë pagesën e papunësisë”.

Ahmetaj këkoi të qetësojë naftëtarët e mbetur pa punë dhe premtoi se qeveria është në kërkim dhe pritje të çdo oferte që vjen nga një grup investitor serioz, për të rivënë në punë rafinerinë.

Arben Ahmetaj: “Qeveria qëndron e angazhuar e vëmendshme deri në detaje për të mbështetur çdo investitor serioz që do të vijë me një project serioz për zhvillimin e biznesit në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit”

Kompania ARMO është rivënë në punë në shtator të vitit 2016 nga një firmë amerikane e regjistruar në ishujt britanikë Virxhin, në bashkëpunim me një firmë shqiptare. Investitori premtoi se do të bëjë rikthejë shkëlqimin e dikurshëm të rafinerisë, por burime zyrtare thonë se deri në fund të vitit 2017 borxhet në tatime e dogana vetëm gjatë një viti kanë arritur vlerën e 60 milion dollarëve./abcnews.al