Në Selenicë të Vlorës, në kodrat e fshatit Lapardha, u aktivizua një vatër e madhe zjarri, për të cilën nisi ndërhyrja nga ajri. Forcat zjarrfikëse e patën të pamundur të ndërhynin për shkak të terrenit të vështirë.
Në vendin e ngjarjes ndodhen dy helikopterë të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve. Deri më tani nuk rrezikohen banesat, ndërsa vijon puna për vënien nën kontroll të flakëve.
Në të gjithë vendin megjithatë situate paraqitet shumë më e qetë krahasuar me ditët e mëparshme. Ministria e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht më herët për vetëm 5 vatra zjarri aktive, të cilat po mbahen nën monitorim. Në flakë rezultojnë se janë pyje në zona të thella të cilat nuk përbëjnë asnjë rrezik për zonat e banuara.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes vijon të ketë prezencë të zjarrit në Ternovë, në bashkinë Bulqizë I cili po mbahet nën monitorim nga 7 efektivë të forcave zjarrfikëse për të eliminuar çdo mundësi riaktivizimi.
Situata vijon të monitorohet në fshatrat Kulumri dhe Lumi i Trunit në bashkinë Fushë-Arrëz. Në terren janë angazhuar 50 forca të cilat janë shpërndarë në dy grupe me qëllim vendosjen nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit. Momentalisht, situata është e qetë dhe flakët janë shuar.
Vatra e zjarrit në Malin e Bërzhitës në fshatrat Ibë dhe Durisht të njësive administrative Bërzhitë dhe Petrelë ndodhet në një terren shumë të largët dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka.
Zjarri në fshatrat Damjan dhe Isufaj të Tiranës dhe në zonën e Pezë – Helmës, vijon të jetë aktiv në disa vatra të minimizuara, por që po mbahen nën mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Po ashtu edhe në Parkun Natyror Gërmenj, situata paraqitet më e qetë si pasojë e punës se forcave operacionale por dhe për shkak të reshjeve të shiut të rëna pasditen e së hënës.

