Shqipëria është një destinacion i veçantë jo vetëm për të kaluar pushimet por edhe për të jetuar.
Media amerikane CNBC në një shkrim të fundit thekson se Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende kosto e jetesës mbetet e përballueshme dhe ku mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët e jetesës është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët që duan të zhvendosen në një vend tjetër po tregojnë interes.
Ushqimet, dhe kujdesi shëndetësor gjithashtu vlerësohen shumë më të përballueshme. Për nomadët dixhitalë dhe pensionistët, Shqipëria ofron një cilësi jetese që është gjithnjë e më e paarritshme në shumë qytete të SHBA-së .
Një tjetër nga avantazhet më të mëdha të Shqipërisë, është se amerikanët mund të jetojnë pa viza deri në 12 muaj .Kjo e bën një vend ideal për ata që duan ta “provojnë” jetën jashtë vendit pa u përballur me sisteme komplekse vizash.
Një arsye e rëndësishme për të jetuar në Shqipëri vlerësohet edhe natyra .Sipas medias amerikane nga Alpet e ashpra Shqiptare në veri deri te ujërat bruz në jug, peizazhi i vendit është mahnitës.
Veçohet riviera Shqiptare dhe sidomos Saranda, një qytet bregdetar i gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte ende mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për t’u rrezitur, por plazhet ishin praktikisht bosh — një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja ose Italia.
Në të njëjtën kohë, shqiptarët konsiderohen se janë dukshëm mikpritës ndaj amerikanëve, ndjenja pro-amerikane dhe miqësia ndaj emigrantëve ua bën më të lehtë të sapoardhurve të ndihen si në shtëpi dhe të lidhen me komunitetin vendas.
/abcnews.al/

