Gjykata e Posacme ka lënë në burg 7 nga të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK, ku u godit grupi i Çopjave që akuzohet se trafikoi 28 ton kokainë në Evropë, nga të cilat 17 ton u kapën. Për njërin lehtësohet masa e sigurisë.
Ervis Çela, i cili së bashku me Franc Çopjan ishte kreu i organizatës kriminale që solli 28 ton kokainë nga Amerika latine në Evropë për vetëm 2 ngarkesa, është lënë në burg të dielen nga Gjykata e Posaçme në Tiranë.
Pas seancës GJKKO konfirmoi arrestet me burg edhe për 6 të prangosur të tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi nga 8 të prangosurit për të cilin Gjykata ka zbutur masën e sigurisë është Riza Çela, të cilin e ka çuar në arrest shtëpie.
Togat e zeza kanë konfirmuar edhe masën “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.
Në kërkim vazhdojnë 5 të tjerë.
Të premten SPAK zhvilloi operacion në disa qytete të vendit, kryesisht në Elbasan, Tiranë, Durrës e Lushnjë për të zbatuar 16 masat e sigurie, 14 arreste me burg dhe 2 detyrim paraqitjeje, për organizatën kriminale të Çopjave.
Pokuroria e Posaçme njoftoi se Franc Çopja dhe Ervis Çela, të evidentuar si krerë të organizatës, operonin në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonoin fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj./abcnews.al

