Qeveria ka vendosur që të mos zgjasë moratorimin për gjuetine e kafshëve dhe të shpendëve në vend. Projektligji është dorëzuar në kuvend ku pritet të diskutohet në nisje të seancës së re parlamentare.
Në projektligjin e ri parashikohet që gjuetia të zhvillohet vetëm në zonat e lejuara me qëllim menaxhimin dhe ruajtjen e llojeve të faunës së egër. Po ashtu parashikohet që zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private në përdorim me anë të një procedure konkurrimi për një afat deri në 5 vjet, me të drejtë rinovimi.
Zonat e lejuara për gjueti që do jenë me pronësi shtetërore, private apo të kombinuara por duhet të kenë sipërfaqe jo më të vogla se 500 ha, ndërsa zona për kultivimin e llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie, krijohet në sipërfaqe jo më të vogla se 50 ha.
Po ashtu në draft parashikohen që shkelësit e ligjit të përballen me gjoba më të ashpra nga ato që janë në fuqi dhe variojnë nga 100 mijë lekë deri në 1.3 milionë lekë në varësi të shkeljes. Gjuetarit të gjobitur i hiqet leja dhe arma e gjuetisë dhe nuk i kthehen pa paguar më parë gjobën, ndërsa të ardhurat nga gjoba do të derdhen në Buxhetin e Shtetit.
Në draft është vendosur gjithashtu që gjahtarët, duhet të jenë mbi 25 vjeç, do të duhet të kalojnë një test njohurie shtetërore për faunën e egër në Shqipëri dhe do të licencohen dhe pajisjen me leje personale gjueti./abcnews.al

