United Airlines ka ndaluar fluturimet në aeroportet kryesore në të gjithë SHBA-në për shkak të një “problemi teknologjik”, sipas kompanisë.
Vendimi ka shkaktuar probleme në aeroporte duke përfshirë Çikagon, Denverin, Hjustonin, San Franciskon dhe Nju Xhersin, tregon faqja e internetit e Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së.
“Ne presim vonesa shtesë të fluturimeve këtë mbrëmje ndërsa po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi,” tha United për partnerin amerikan të BBC-së, CBS News.
“Siguria është përparësia jonë kryesore dhe ne do të punojmë me klientët tanë për t’i çuar ata në destinacionet e tyre,” tha kompania.
Fluturimet që janë tashmë në ajër do të vazhdojnë për në destinacionin e tyre, tha kompania për CBS News. Ajo shtoi se fluturimet rajonale nuk u prekën, por mund të vonohen për shkak të bllokimeve të trafikut nga ndalesat tokësore.
Mbi 700 fluturime të United ishin vonuar, sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve FlightAware.

