Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq ish-presidentin Nikoll Deda dhe zv. presidenten e Urdhrit të Stomatologut Aurela Guri për tre vepra penale.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Nikoll Deda. dhe Aurela Guri për veprat penale ‘Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës’ të parashikuara nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.1218, viti 2025,rezultoi se ky shtetas i denoncuar nga shtetasi Almiro Gurakuqi. Në Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar për shpërdorim të fondeve, ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke rritur buxhetin e ‘Urdhrit të Stomatologut’ nga viti në vit për përfitime personale.
Sipas hetimeve, shtetasi në fjalë në cilësinë e Presidentit të Urdhrit të Stomatologëve lejoi punësimin e njerëzve pa kriter, familjarë të tij, me qëllim manipulimin e vendimmarrjeve të Këshillit Kombëtar nga viti 2016. Pavarësisht se u mor i pandehur, ai ndërmori veprime aktive në shpërdorim të detyrës përqendrim të mëtejshëm të kompetencave në duart e tij duke shfrytëzuar strukturat e USSH-së.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, shtetasi Nikoll Deda ka kryer veprime duke paguar dhe shpërdoruar fondet e Urdhrit të Stomatologut, pa justifikimet përkatëse si dhe në raste të caktuara ka tjetërsuar fonde në forma biletash apo pagesash fiktive në favor të familjarëve të tij apo të të tretëve, duke u bërë subjekt i veprave penale te “Vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, të parashikuar nga nenet 135, 248 dhe 321 të Kodit Penal
Edhe shtetasja Aurela Guri nga hetimet rezultoi se ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi duke mos patur atributet ka marrë vendime financiare për buxhetin e vitit 2024. Ajo ka vendosur të autorizojë zbatimin e buxhetit të përkohshëm në një periudhë të caktuar kohore.
Shtetasja Aurela Guri. u emërua si zv.Presidente e USSH në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë nr.1537, datë 07.02.2020, ku Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ka qenë nën masë sigurimi.
Kjo shtetase ka autorizuar zbatimin e buxhetit të përkohshëm për një periudhë që fillon nga dita e parë e vitit buxhetor deri në fund të muajit të tretë të tij ku shpenzimet nuk duhet të tejkalojnë 1/12 e shpenzimeve faktike të programit të financuar nga buxheti në vitin buxhetor paraardhës dhe ka autorizuar vazhdimin e buxhetit të përkohshëm duke u bërë subjekt i kryerjes së veprave penale të “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” të parashikuara nga nenet 248 dhe 321 të Kodit Penal.
/abcnews.al/

