Zgjedhjet parlamentare në Britani: Boris Johnson në pushtet me shumicë votash

schedule07:37 - 13 Dhjetor, 2019

schedule 07:37 - 13 Dhjetor, 2019

Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson, fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të zhvilluara dje në Britani.

Sipas rezultateve të bëra publike nga BBC, konservatorët kanë fituar 364 deputetë, maxhorancë e paster dhe shumë më e lartë se 203 vende që arritën të marrin laburistët e Xheremi Korbin.

Konservatorët kanë 38 deputetë më shumë se shumica e nevojshme prej 326 ligjvënësish për të formuar qeverinë.

Johnson tha se partia e tij ka siguruar mandat të fuqishëm për të përfunduar daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Përmes një postimi në “Twitter”, ai i falënderoi qytetarët britanikë dhe tha: “Jetojmë në demokracinë më të madhe në botë”.

Kurse Xheremi Korbin tha se ishte një natë zhgënjyese për laburistët dhe se ai nuk do të luftojë më në zgjedhjet e ardhshme.

Konservatorët do të kenë rezultatin e tyre më të mirë që nga zgjedhjet e 1987, që u fituan nga Margaret Thatcher. Ndërsa laburistët që kanë humbur në të gjithë Veriun dhe në Wells, vende që mbështeten Brexit në 2016, po përballen me humbjen e tyre më të rëndë që nga viti 1935, pasi kanë 71 vende më pak në parlament. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!