Analisti Arben Meçe ka komentuar procesin e rinumërimit të votave që deri më tani nuk ka sjellë asnjë ndryshim të rezultatit.
Meçe gjatë intervistës në “News Line” në ABC News u ndal edhe tek pretendimet e opozitës, se në zgjedhjet parlamentare, është realizuar mënyra e manipulimit, njohur si “treni bullgar”, ndërsa nënvizoi se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Po ashtu ai tha se nuk ka asnjë të dhënë që të flasë për një mekanizëm blerje të votave.
“Kur flitet për votën politike që është debati më i madh dhe pretendohet se do zbuloheshin prova dhe fakte që do zbulonin shkelje, kjo mund të themi se nuk ka aspak asnjë provë. Nuk është zbuluar asnjë person i vetëm, pasi vjedhje e trenit bullgar që pretendon PD është masive. Është edhe e lexueshme. Të bësh tren bullgar në një zonë duhet të angazhosh njerëz. Pra deri më tani nuk është identifikuar asnjë rast i vetëm i trenit bullgar. Kur vjen puna nga blerja e votave është një gjë e debatueshme”, tha ai.
Gjithashtu Meçe tha se këto janë pretendime të ngritura nga PD vetëm për të mos pranuar realitetin.
Analisti theksoi se e keqja më e madhe e Partisë Demokratike është kreu i saj Sali Berisha. Sipas tij, ish-kryeministri e ka kthyer PD në një pronë personale të tij. I ndalur tek deklaratat e Berishës në Parlament, shtoi se artikulimet e ish-kryeministrit janë totalisht pa seriozitet.
“Nuk ikën Sali Berisha nga prona e vet. Nuk flitet për PD si pjesë e sistemit demokratik, por për një sekt drejtuar nga Berisha dhe një pronë që e sheh në shërbim të tij”, theksoi ai, duke nënvizuar: “E them me bindjen se kemi pasur në këto zgjedhje një nga proceset më të mira. Edhe raporti i OSBE/ODHIR tregoi se ishte një proces konkurrues”.

