Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, janë konfiskuar 14 pasuri të shtetasit, Marsel Arani i dënuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Bëhet fjalë për biznes, apartament dhe makina. Në njoftimin zyrtar theksohet se u arrit të provohej se ky shtetas ka kryer veprimtari kriminale në Itali, ku autoritetet gjyqësore të Torinos e kanë deklaruar fajtor dhe ku është dënuar për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit.
“Aktet e ardhura nëpërmjet kërkesës për ndihmë juridike nga autoritetet italiane të drejtësisë, provuan faktin e dënimit të formës së prerë të të pandehurit në Itali dhe përfitimin e të ardhurave nga kjo veprimtari e paligjshme. Nga gjykimi u evidentuan transaksione të shpeshta financiare të kryera nga ushtrueset e prostitucionit në drejtim të të pandehurit apo familjarëve të tij, si dhe u provua se të ardhurat e paligjshme pastroheshin për t’u dukur si të ligjshme nga i pandehuri nëpërmjet investimit në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme. Pasuritë e blera janë përfshirë në shitblerje të përsëritura, duke krijuar një zinxhir të rremë transaksionesh për të legjitimuar të ardhurat. Kjo veprimtari/pastrim është kryer nga i pandehuri jo vetem si individ por edhe nëpërmjet aktivitetit ekonomik që ai ka hapur si person fizik në shitblerje-dhënie me qira automjetesh”, sqarohet më tej në njoftim.
Në përfundim të gjykimit, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
– Apartament në qytetin e Durrësit;
– Automjet Mercedes Benc;
– Automjet Suzuki Grand Vitara;
– Automjet Volksëagen;
– Automjet JEPP;
– Automjet Fiat Marea;
– Automjet Maserati;
– Automjet BMV;
– Automjet Mercedes Benc;
– Automjet Audi SQ7;
– Automjet Volkswagen:
– Automjet Volkswagen;.
– Motomjet Motor BMV; dhe
– Aktivitet tregtar me fushë të veprimtarisë Tregti automjetesh dhe dhenie mjetesh me qera, në qytetin e Elbasanit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, mbetet gjithmonë e angazhuar në përmbushjen e detyrimit të saj për dënimin e personave që kryejnë veprën penale të pastrimit të parave dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtaria kriminale.

