Duket se gjithçka ka përfunduar.
Hajduku, me 99 për qind të shanseve, ka siguruar shërbimin e njërit prej talenteve më premtuese të futbollit shqiptar.
Adrion Pajaziti, siç raportojnë të përditshmet kryesore sportive në Kroaci, e ka ndarë mendjen që të firmosë kontratën me klubin më të vjetër në vendin ballkanas, pas bisedave me njeriun që do të jetë drejtori i ri sportiv në Split, Goran Vucevic.
Pikërisht, Vucevic ka biseduar me 22-vjeçarin dhe e ka bindur se projekti në stadiumin “Poljud” është më interesanti për të, dhe se tek Hajduku do të jetë më I vlerësuar se kudo gjetkë, dhe se do të jetë në qendër të planeve të trajnerit Gonzalo Garsia.
Pajaziti ka premtuar se do të jetë lojtar i Hajdukut, dhe se do të firmosë kontratën sapo Vucevic të marrë detyrën zyrtarisht.
Nuk ishte e lehtë për klubin nga Dalmacia që të siguronte shërbimet e futbollistit shqiptar që cilësohet “Demollari i Ri”.
Kampionia e re e Kroacisë, Rijeka, ishte shumë pranë tij, dhe po ashtu nga Sllovenia kishte ardhur drejtori sportiv i Olimpijas së Ljubljanës.
Pajaziti luajti sezonin e kaluar tek Gorica në Ligën e Parë të Kroacisë, duke shënuar tre gola në 23 ndeshje, por sidomos duke shkëlqyer me nivelin teknik, vizionin e lojës dhe ndihmën në fazën ofensive madje edhe mbrojtëse.
Futbollisti 22-vjeçar do t’i kushtojë Hajdukut vetëm rrogën, sepse kontrata e tij me Goricën përfundon në 30 qershor.
/abcnews.al/

