Dhjetëra çadra dhe shezlongë janë sekuestruar nga hapësirat publike të plazheve në Shëngjin dhe Ranën e Hedhun, si pjesë e një aksioni intensiv për çlirimin e vijës bregdetare nga zaptimet e paligjshme.
Task Forca e ngritur nga Bashkia e Lezhës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë bashkiake dhe asaj të Policisë së Shtetit, kanë ndërhyrë në disa zona, duke bërë sekustrimin e pajisjeve të vendosura pa autorizim. Çdo rast i konstatuar do të ndëshkohet me sekuestrim të menjëhershëm dhe masa administrative sipas akteve në fuqi për menaxhimin e hapësirave turistike.
Konkretisht, në Ranën e Hedhun janë sekuestruar 50 çadra dhe 100 shezlongë, ndërsa në Shëngjin janë sekuestruar 5 çadra dhe 10 shezlongë që kishin zënë hapësira publike në kundërshtim me rregullat.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se aksionet do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit veror, me zero tolerancë për ata që cënojnë të drejtën e pushuesve për të shijuar plazhin pa pengesa dhe pagesa abuzive. / abcnews.al

