Tërmeti, lejet për rindërtimin e banesave i jep kryetari i bashkisë brenda 5 ditëve

schedule18:53 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 18:53 - 11 Dhjetor, 2019

Pas bllokimit të lejeve të ndërtimit në qarqet e prekura nga tërmeti, duke pranuar aplikime vetëm për rindërtim, qeveria ka miratuar sot edhe procedurën e përshpejtuar.

Në vendim e Këshillit të Ministrave theksohet se bashkitë vendosin me procedurë të përshpejtuar brenda 5 ditëve për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar.

Vendimi:
për një ndryshim në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të këshillit të ministrave, “për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pika 1/1, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1/1. Autoriteti vendor vendos, me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar, dhe:

  1. a) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar;
  2. b) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është:
  3. akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi;
  4. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar.”.