Nuk e morën vesh sesi përfunduan nokaut.
Futbollistët e Italisë u njollosën plotësisht në Oslo, ndërsa nisja e eliminatoreve të Kupës së Botës ishte një makth.
Norvegjia fitoi 3-0, në një ndeshje të cilën e luajti më mirë, ndonëse Të Kaltrit e trajnerit Luçiano Spaleti, u përpoqën të ishin në sulm dhe të imponoheshin.
Ndodhi e kundërta, përkundër 63 për qind mbajtje topi nga miqtë, që provuan jo pak ta godisnin portën e gardianit vendas, Nuland.
Norvegjia ishte shumë më efikasë, dhe Sorlot në 14’, Nusa në 34’ dhe Haland në 42’ I dhanë fund çdo diskutimi që në pjesën e parë.
Skandinavët padyshim që janë në një moment të madh, pasi kanë fituar 9 pikë në tri ndeshje, pra kanë tri fitore, dhe golaverazhin e shkëlqyer 12-2!
Po Italia?
Megjithë respektin për fanelën katër herë kampione të botës, dhe për stilin e futbollit të bukur të Spaletit, emrat në fushë nuk mbushin.
Vetëm Donaruma e deri diku Barela bëjnë përshtypje, ndërsa pjesa tjetër duket sikur po luan Italia U21.
“La Gazeta delo Sport” është e ashpër: Mjaft! Itali katastrofë! Shkatërrohet në Norvegji! Botërori që tani në rrezik, Spaleti nën akuzë!
“Il Korriere delo Sport bën lojë fjalësh, pasi Acerbi është mbiemri I mbrojtësit të Interit që refuzoi Spaletin, por do të thotë edhe “i papjekur”, një kritikë për trajnerin!
“Njollë e kaltër, – shkruan “Tutosport” nga Torino, – 0-3 në Norvegji! Mirë që është Siner! Debutim prej makthi në eliminatoret e Botërorit!
Italia është 9 pikë larg vendit të parë, Norvegjisë, edhe pse ka luajtur vetëm një ndeshje ndaj tri të rivalit.
Sidoqoftë, ekziston rreziku që ky emër I madh për herë të tretë radhazi të mos jetë në finalet e Kupës së Botës.

