Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të DVP Vlorë kanë zhvilluar planin operacional policor të koduar “Secret Flat”.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi për prostitucion”, të kryera në bashkëpunim, shtetasi 28 vjeçar, banues në Tiranë. Po për të njëjtat vepra penale, u shpall në kërkim edhe shtetasja F. G., 51 vjeçe, me kombësi kineze.
Nga hetimet rezultoi se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me qira një apartament në lagjen “10 Korriku”, të cilin e kishin përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit.
Në këtë ambient, ata shfrytëzonin për prostitucion kundrejt pagesës tre shtetase të huaja me kombësi kineze, të cilave u kishin ofruar strehim dhe u siguronin klientët për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Prostitucioni”, në ngarkim të tre shtetaseve të huaja H. G., B. A. dhe L. M., të cilat shfrytëzoheshin nga këta dy shtetas dhe ushtronin prostitucion kundrejt pagesës. / abcnews.al


