Ditë intensive për Berishën në Bruksel, në misionin për të mos njohur zgjedhjet. Zyra e shtypit të PD, njofton se doktori ka zhvilluar një seri takimesh informale për të folur për farsën e 11 majit.
Berisha me bindje deklaroi se në këtë vizitë po e përmbush misionin, e po ia ngul në mendje europianëve, pse zgjedhjet e 11 majit ishin farsë dhe Shqipëria nuk e meriton integrimin në BE.
“Them se qëndrimi dy ditor, vizita dy ditore, realizoi qëllimin e saj. Pata takime, diskutuam për një plan, qytetarët do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës. Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi i zgjedhjeve”
Në fakt, takimi i vetëm që reklamon me foto dhe shkrim zyra e shtypit, është ai me një eurodeputet letonez, që nuk është as pjesë e PPE, por e konservatorëve dhe reformistëve.
Por vetëm pak metra larg zyrës, doktorit i erdhi një shuplakë me 5 yje. Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian, miratoi raportin që certifikon zgjedhjet e 11 majit dhe vulos rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë mbledhje të posaccme, të pranishëm ishin dhe dy deputetë të opozitës, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi, të cilët, pas përfundimit, do duhet të riktheheshin në zyrën e takimeve, e ti jepnin lajmin e hidhur doktorit.
Por Berisha nuk priti shumë gjatë, doli nga zyra me nxitim të flasë për raportin.
“Raporti damkosi në mënyrë të qartë si kristali, regjimin e Edi Ramës, si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, si një regjim që shkelmon të drejtat themelore, të informimit, lirinë e shprehjes, dhe të drejtën e pronës. Damkosi regjimi i Edi Ramës, si një regjim në të cilin ndërhyhet politikisht fuqishëm në sistemin e drejtësisë. U shpreh shqetësim i madh për stokun e dosjeve. Mund të them se kjo ishte vatërloja.“
Doktori shpesh, nuk ka nevojë për ti lexojë raportet, apo t’ia komunikojë dikush, ai i interpreton sicc do vetë ai.
Mbledhjen në fjalë e drejtoi eurodeputeti i PPE, David McAllister, kurse raporti u miratua me shumicë të konsiderueshme votash, 57 pro, 11 kundër e 6 abstenim.
Por nga e folura në të shkruar, në dokumentin zyrtar thuhet qartë se eurodeputetët shprehën mbështetje për objektivin e Shqipërisë që synon mbylljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit 2027.
Ata nënvizojnë se “ka nevojë urgjente për të thelluar reformat”. Kërkohet që autoritetet shqiptare të përqendrohen në “forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”.
“Shqipëria me krenari mund të quhet ‘një nga vendet përparimtare’ ndër kandidatët për anëtarësim në BE. Kjo, pjesërisht, falë mbështetjes së gjerë të popullatës shqiptare. Por nuk jemi ende në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar sundimin e ligjit. “
E veçanta është se në krye të raportit, vlerësohet konsensusi i gjerë politik dhe popullor në Shqipëri për të përshpejtuar procesin e integrimit europian. Dhe i vetmi kundër, del se është Sali Berisha. Dhe kësaj radhe ai jo vetëm mori një shuplakë, por po kthehet edhe duarbosh nga Brukseli.”
ABC NEWS mëson se Partitë Popullore Europiane nuk do të miratojë asnjë rezolutë për zgjedhjet e 11 majit. Partitë simotra të PD ndryshe nga Valencia, në Bruksel nuk i dhanë asnjë copë letër. I premtuan doktorit vetëm se do të dërgojnë një mission faktmbledhës, me shpresën, se do të përfundojë në Shqipëri, e jo në Liban.

