Ishte një sekret i hapur, pra gjithçka dihej. Sajmën Jejts kurorëzoi në Romë fitoren e tij të shkëlqyer në Xhiron e Italisë, duke arritur suksesin më të madh të karrierës.
Në moshën 32-vjeçare, britaniku ia doli pak si vonë, por gjithsesi ia doli.
Etapa e 21-të dhe e fundit e Xhiros ishte një parakalim ceremonial në rrugët e Romës, me nisje nga Kopshtet e Vatikanit deri në kryqëzimin e Cirkut të Madh romak.
Jejts e realizoi mrekullinë e tij të shtunën me fitoren në etapën e fundit në Alpe, në majën mitike me emrin e Fausto Kopit.
Ai e mbylli edicionin e 108-të të Xhiros me 3’56” epërsi ndaj meksikanit Isak Del Toro, që u shpall çiklisti I ri më I mirë, ndërsa ekuadoriani Karapaz përfundoi në vend të tretë.
Del Toro e mbajti Fanelën Rozë për 11 etapa, ndërsa Jejts vetëm për dy.
Danezi Pedersen fitoi renditjen me pikë duke fituar katër etapa, ndërsa belgu Van Ert fitoi klasifikimin si çiklisti më luftarak i sezonit.
Tashmë, gara e madhe italiane përfundoi, me tri etapat e para të zhvilluara në Shqipëri, dhe pritet Turi i Francës që do të nisë në 27 korrik.
Aty do të jenë disa nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti si Tadej Pogaçar apo Matjë Van der Pël, pa harruar ata që shkëlqyen në Xhiro si Jejts apo Karapaz.

