Rinovimi i Edi Rejës, ja detajet e kontratës së re

schedule18:05 - 10 Dhjetor, 2019

schedule 18:05 - 10 Dhjetor, 2019

Edi Reja do të ketë kontratë që do të rishikohet çdo vit, me Federatën Shqiptare të Futbollit. Italiani dhe presidenti Duka shpresojnë të bashkëpunojnë deri në Botërorin 2022, por nuk është çudi që të ndahen para kohe.

Në parim parashikohet që të jenë gjatë së bashku. Edi Reja dhe Armand Duka janë marrë vesh dhe, me gjasë, kanë hedhur gjithashtu firmën në kontratë, për një marrëveshje të dytë në stolin e kombëtares shqiptare, që parashikon kohëzgjatje deri në Kupën e Botës 2022.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollin sqaruan për Abc Neës-in se, sidoqoftë, në kontratë ka një klauzolë sipas së cilës të dyja palët do ta rishikojnë pas çdo viti. Trajneri ka deklaruar se nuk ka punuar kurrë me kontrata afatgjata, pasi ka dashur që ta kishte gjithnjë fatin e tij në duart e veta.

Duka, ndërkaq, ka pasur shqetësim lidhur me rezultatet, por edhe me shëndetin e teknikut italian që sot është 74 vjeç. Burimet në Federatë shtuan për televizionin se trajneri I pohoi presidentit se kishte pasur kontakte nga Napoli, por kishte refuzuar gjithçka sepse kishte dhënë fjalën tek Shqipëria.

Rroga e trajnerit pritet të jetë ajo që ka qenë më parë, dhe që kanë pasur edhe paraardhësit e tij, De Biazi e Panuçi, 22-23 000 euro në muaj. Shifra totale arrin në 600 000 euro, ndërsa do të shtohet edhe me rreth 100 000 euro të tjera, nëse Reja do të arrijë kualifikimin për në fazën finale të Botërorit në 2022.

Shpërblimi në rast arritje të Botërorit është ai që iu dha edhe De Biazit: 200 000 euro. Kombëtarja nis ndeshjet zyrtare në Ligën e Kombeve në periudhën nga shtatori deri në nëntor 2020, ndërsa faza finale do të jetë në qershor 2021.

Eliminatoret e Botërorit nisin në mars 2021 dhe përfundojnë në nëntor të po atij viti, me Play-Off në mars 2022. Përpara ndeshjeve zyrtare, ekipi I drejtuar nga Reja pritet të luajë miqësore në mars dhe qershor 2020./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!