Pasditen e kësaj të premteje, në orën 18:00, u mbajt Mesha e Dritës në Katedralen e “Shën Palit” në Tiranë. Besimtarë të shumtë u mblodhën në katedrale për nder të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare mëngjesin e 21 prillit.
ABC News ndoqi nga afër Meshën e mbajtur në katedralen e “Shën Palit”. Sipas asaj që raporton gazetarja Gerta Vasku, Mesha zgjati gati një orë, ku besimtarët katolikë u lutën për Papën.
“Ata vlerësojnë kontributin e Atit të Shenjtë në kreun e Kishës Katolike. Është një Meshë që ka pasur më shumë se 1 orë, ka pasur mesazhe lutje për Papën e shenjtë. Shqiptarët thanë se edhe kur Papa ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore, janë lutur për shërimin e tij. Ndërkohë që në kishën e “Shën Palit” në Tiranë, por dhe në të gjitha kishat e vendit kanë rënë kambanat e vajtimit”, raportoi gazetarja./abcnews.al

