Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

1280 persona në hotele e çadra, Xhafaj: Janë bërë 530 vizita mjekësore, nesër tjetër ekip mjekësh

schedule18:50 - 7 Dhjetor, 2019

schedule 18:50 - 7 Dhjetor, 2019

Në ditën e 10 pas fatkeqësisë natyre që preku qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë, Etjen Xhafaj, i deleguari i Komitetit Ndërministror për Emergjencën Civile Qarku Lezhë, ka raportuar, se në cilën fazë ndodhen inspektimet, për dëmet nga tërmeti në këtë qark.

“Pasi kemi kapërcyer fazën e parë të emergjencës duke u dhënë ndihmë personave të rrezikuar, akomoduar në hotele, e çadra në zonat rurale, sot jemi në fazën intensive të verifikimit të objekteve e banesave.

Aktualisht janë 2-fishuar grupet e verifikimit me inxhinierë nga Shkodra, Kukësi dhe Dibra, duke operuar me 18 grupe vlerësimi në terren. Nga sot ka nisur vlerësimi i objekteve edhe në Bashkinë e Mirditës.

Disa objekte të rëndësishme si shkollat e çerdhe janë ekspertuar nga Inxhinierë të Institutit në Tiranë, duke marrë vendimet e domosdoshme për sigurinë dhe mësimdhënien. Për shkollën e dëmtuar Gjergj Kastrioti, është marrë vendim që deri në një moment të dytë mësimi të zhvillohet në shkollën Besëlidhja, me 2 turne. Drejtoria arsimore e Lezhës ka marrë masa për identifikimin e nxënësve që janë evakuuar dhe janë siguruar mjetet për transportimin e tyre në shkolla.

Siç keni qenë dëshmitarë që disa pallate janë verifikuar nga grupe me inxhinierë izraelite

Pas këtyre verifikimeve nga grupet në terren rezulton se:

66 pallate paraqesin rrezikshmëri të lartë.

235 banesa paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe 181 të tjera kanë dëmtime të nivelit të mesëm.

783 qytetarë janë aktualisht strehuar nëpër çadra, dhe po vijon pajisja me to edhe e familjeve që kanë sjellë kërkesa pranë Qendrës Operacionale të Emergjencës Civile apo pranë Bashkive të Qarkut dhe Prefekturës.

Ndërkohë që 1280 qytetarët vazhdojnë të jenë akomoduar në 3 hotele në Shëngjin.

Është kryer identifikimi i plotë i të sëmurëve kronike (144) ndërkohë që vijon administrimi i vaksinave anti-grip. Janë realizuar mbi 530 vizita individuale, dhe disa individë janë vizituar edhe për herë të dytë.

Nesër do të ketë një tjetër ekip mjekësor i cili do të vijojë vizitat nëpër zonat rurale dhe qytetarët e vendosur nëpër çadra.

Në bashkëpunim të ngushtë me 3 kryetarët e bashkive, Lezhë, Kurbin e Mirditë po hartohen vendimet e këshillave bashkiake për bonuset e qerave, për familjet të cilat kanë banesa të dëmtuara dhe nuk mund të qëndrojnë më shumë se ditët e para të janarit në hotel, por do të akomodohen në shtëpi me qera.

Gjithashtu është duke u përgatitur i gjithë dokumentacioni për të nisur procesin e shembjes së strukturave që nuk mund të riparohen, në mënyrë që të mund të fillojmë sa më parë procesin e rindërtimit.

Javën që vjen pritet të përmbyllim edhe procesin e vlerësimit të pallateve dhe banesave të tjera publike.

Shërbimet e emergjencës mbeten në krye të detyrës për të pritur çdo thirrje nga qytetarët dhe për të marrë masa për adresimin e këtyre problematikave (159 deri tani). Gjithashtu 3 numrat e gjelbër dhe platforma Shqipëriaqëduam.al janë në dispozicion të qytetarëve”, tha Xhafaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!