Le ta fillojmë me atë që ndodhi në Kurbin. Ka shumë dyshime për mënyrën sesi po luhen disa ndeshje të këtij sezoni të Superligës, por lufta ishte vërtet e fortë në Laç.
Skuadra vendase rrezikon tani seriozisht rënien nga kategoria për herë të parë që nga viti 2009.
Kjo histori 16-vjeçare ndoshta po I afrohet fundit dhe fajtor për këtë mund të quhet Skënderbeu që fitoi 2-1 në Kurbin.
Ishte sulmuesi nga Gana, Bismark Çarls, që vendosi sfidën e duelit direkt për mbijetesë duke shënuar dy herë.
Ai kaloi korçarët në epërsi në 19’, dhe reagoi pasi Laçi barazoi në 39’ me anë të Melos.
Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka mori tri pikët pas golit të dytë, shtatë minuta para fundit, dhe tani ka 36 pikë, duke qenë në vend të gjashtë.
Laçi është i parafundit me 33.
Po 36 pikë ka edhe Bylis që tregoi veten në fushën e vet ndaj Vllaznisë.
Përballë një ekipi që praktikisht e ka siguruar katërshen finale për titull, mallakastriotët padyshim që e patën më të lehtë.
Suksesi u arrit në 48’ kur shënoi një tjetër I huaj, Viktor Da Silva.
Dinamo ndërkaq nuk e dënoi plotësisht Teutën, por as nuk e mposhti.
Dueli në “Elbasan Arenë” u mbyll 1-1 dhe blutë e kryeqytetit siguruan matematikisht pjesëmarrjen në plej of për titullin.
Durrsakët shënuan të parët me David Gjinollarin në 17’, por Baton Zabërgja barazoi pak minuta pas pushimit.
Teuta mori pikë të rëndësishme, por ende është e rrezikuar me 35 pikë, vetëm dy pikë mbi Laçin e parafundit.

