Benzinë e silenciator në automjet/ Detaje nga arrestimi i dy shtetasve në Shkodër: Kanë hedhur lëndë plasëse

schedule10:52 - 1 Prill, 2025

schedule 10:52 - 1 Prill, 2025

Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e dy shtetasve në Shkodrës, të cilëve nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar. Ngjarje e ndodhur më datë 26.03.2025.

Këta dy shtetas ishin  konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi”, duke lëvizur me shpejtësi.  Drejtuesi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi. Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar në fshatin Beltojë. Nga verifikimet e kryera rezultoi se targa e motomjetit me të cilin ata lëviznin ishte vjedhur në Tiranë dhe motomjetit i ishte ndryshuar numri i shasisë.

Ndërsa në automjetet e 2 shtetasve, u gjetën një bidon me lëndë djegëse, një silenciator dhe një sasi kokaine.

Në njoftim zyrtar, këtë të martë, policia e Shkodrës ka sqaruar nga kontrollet e kryera, ditën e djeshme, në lagjen “3 Heronjtë” është gjetur një pako me lëndë të dyshuar plasëse, e cila dyshohet se është hedhur aty, nga këta shtetas, më datë 26.03.2025.

Pakoja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 26.03.2025, për arrestimin e shtetasve M. T. dhe D. S., të cilët nuk iu bindën urdhrit të Policisë, për të ndaluar motomjetin me të cilin lëviznin, me targë të vjedhur dhe me numër shasie të ndryshuar, bëjmë me dije se nga kontrollet e kryera në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, dje, në lagjen “3 Heronjtë”, është gjetur një pako me lëndë të dyshuar plasëse, e cila dyshohet se është hedhur aty, nga këta shtetas, më datë 26.03.2025. Pakoja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!