“Fatkeqët nuk janë në listat e shtetit”, të strehuar në Unazën e Re, banorët: Nuk kemi ndihmë nga shteti

schedule03:15 - 5 Dhjetor, 2019

schedule 03:15 - 5 Dhjetor, 2019

Plot 120 qytetarë të goditur nga tërmeti janë strehuar në një ndërtesë tek Unaza e Re, ndërsa protestojnë se nuk kanë asnjë ndihmë nga shteti. Ata po mbështeten nga banorët, por theksojnë se nuk janë të regjistruar nga organet përkatëse, edhe pse kanë humbur shtëpitë.

Për fat kësaj ndërtese nuk i erdhi radha të shembej.

I kanë vënë kryqin, por është ende në këmbë pesëkatëshja në hyrje të Unazës së Re, pranë rreth rrotullimit të doganës, dhe aty kanë gjetur strehë disa fatkeqë të goditur nga tërmeti.

Ish-konvikti i Universitetit Epoka prej 9 ditësh mban banorë nga shumë zona të Shqipërisë që provuan fatkeqësinë natyrore, por që ankohen se deri tani nuk ka pasur interesim nga shteti.

Ata nuk janë të regjistruar, dhe nuk marrin asnjë ndihmë.

Në katin e dytë janë shumë dhoma të pajisura siç duhet, me shtretër e tualete.

I takojmë dhe i përshëndesim, dhe Sabrie Nuredini nga Dibra, thotë se askush nga shteti nuk ka ardhur.

“Kam pesë muaj që jam vendosur këtu, jam e sëmurë, shtëpia na është dëmtuar nga tërmeti. Dua që shteti të marrë masa dhe të kujdesohet për katër jetimët e mi”, shprehet Sabria, një prej banorëve.

Po në katin e dytë janë ndihma të sjella nga banorë të Unazës së Re.

Ata kanë ndihmuar me ushqime, veshmbathje dhe shtroje.

Secila familje siguron drekën e të strehuarve për një ditë.

Flasim me Valin, njërën nga banoret së cilës i është shkatërruar shtëpia nga shteti pak javë më parë, ndërsa prej 25 vitesh shtëpia e saj nuk u legalizua nga asnjë qeveri.

Ajo thotë se u godit nga tërmeti shtetëror, ndërsa këta u goditën nga tërmeti i natyrës.

Po në kat të dytë ndodhet, një familje nga Mamurrasi.

“U trembëm, jemi 8 persona, ndërtesa jonë është e rrezikshme nuk mund të banohet, presim një zgjidhje”, thotë një tjetër banore.

Të strehuarit kanë marrë ndihma nga mjaft shoqata, siç ishte ajo e Aleancës për Teatrin, apo nga emisione televizivë si Pasdite Ndryshe apo Stop, po ashtu këtu ka ardhur një shoqatë italiane që vepron në Shqipëri.

Na sqarojnë se kanë marrë informacion dhe po shikojnë se në çfarë mënyre mund të ndihmojnë.

Në ndërtesë edhe ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, që ka ndjekur protestën e banorëve të Unazës së Re.

“Këtu janë banorët e Unazës së Re që po kujdesën për banorët e prekur nga tërmeti. Është esenciale që qeveria të vijë të interesohet, por për shkak se banorët e Unazës kanë protestuar kundër aferës korruptive, qeveria nuk vjen të kujdeset për banorët e prekur nga tërmeti”, thotë ai.

Pas tij kërkon të flasë edhe banori Lutfi Kastrati.

“Kapaciteti këtu është edhe për mbi 100 persona të tjerë, por i kemi të pamundur ti shërbejmë. Drejtori i emergjencave Civile të Bashkisë së Tiranës nuk kryer asnjë lloj veprimi”, shprehet Kastrati.

Lutfiu thotë se fatura e energjisë elektrike dhe e ujit shkon e lartë, dhe shteti duhet ta njohë për të ndihmuar, për të treguar solidaritet.

Problemi është i madh sepse nuk mund të gatuhet, edhe pse ka ushqime.

Ekziston një sobë me gaz, por kanë frikë ta përdorin sepse ka njerëz të sëmurë, fëmijë që mund ta prekin dhe shkaktojnë tragjedi.

Nuk kanë as enë për të gatuar, ndërsa shpesh mbeten pa bukë.

Solidariteti i banorëve të Unazës së Re vazhdon, dhe magazina në kat të parë është e mbushur.

Po ashtu, banorët vazhdojnë të sjellin gjithçka munden, por çështja kryesore mbetet.

Fatkeqët nuk janë fare në hartën dhe listat e shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!