Vështirë të ketë ndodhur ndonjëherë më parë. Vedat Muriqi ishte protagonist i një ndeshjeje të çmendur në La Ligën e Spanjës, në të cilën ngjau gjithçka, dhe ai ishte edhe tragjik, edhe hero.
Sulmuesi i Kosovës ra në sy çdo moment në duelin mes Majorkës së tij dhe Espanjolit, e më parë mallkoi veten sepse shkaktoi autogol.
Ishte minuta e 53-të, pra kishte nisur pjesa e dytë, dhe u duk se nuk kishte shumë kohë për përmbysje.
Pak minuta më pas, në të 62-ën, u duk se fatkeqësia e yllit dardan u bë e plotë pasi ai mori përsipër një penallti, por nuk realizoi dot.
Ky ishte 11-metërshi I pestë në karrierë që humbet, ndërsa kishte shënuar 23 herë më parë.
Më pas, ndeshja e elitës spanjolle nisi të kthehej për mbarë kur japonezi Takuma Asano barazoi në 65’, me Muriqin që e bëri mirë punën e tij duke tërhequr pas vetes mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla.
Më pas, u duk se dardani pati sukses duke detyruar Kumbullën që të shkaktonte 11-metërsh.
Gjithsesi, gëzimi ishte i parakohshëm, sepse arbitri e ktheu vendimin e tij u thirr nga VAR-i për të parë pamjet me ngadalësim.
Kulmi erdhi në minutat shtesë.
Fillimisht, Majorka fitoi një tjetër penallti, të cilën e mori përsipër Abdon, por portieri mik Hoan Garsia bëri sërish mrekullinë.
Sidoqoftë, VAR ndërhyri përsëri dhe u kuptua se një lojtar i Espanjolit kishte hyrë paksa në zonë ende pa u gjuajtur topi.
Herën e dytë, penalltinë e mori përsipër Muriqi që shënoi në minutën e 97-të duke marrë lavdërimet e shokëve dhe faljen nga mbi 18 000 tifozët në stadium.


