Sporti nuk është vetëm garë, por një mënyrë jetese, një pasion që ndriçon jetën dhe e mbush atë me energji. Kjo është historia e një shqiptari që ka kushtuar jetën e tij vrapit dhe që vazhdon të sfidojë veten, kilometër pas kilometri, maratonë pas maratone.
“Pasioni im për vrapin ka filluar që në vitet kur kam qenë nxënës, e kam patur gjithmonë pasion atletikën dhe në të gjitha aktivitetet dhe maratonat që bëheshin gjithmonë isha pjesëmarrës.”
Që në fëmijëri, ai e ndiente vrapin si një thirrje të brendshme. Duke nisur që në moshën 10-vjeçare, pjesëmarrja në gara shkollore dhe maratona lokale e bëri të kuptojë se ky sport nuk ishte thjesht një aktivitet fizik, por një pjesë e pandarë e jetës së tij. Për 48 vite, ai ka vijuar të vrapojë pa u ndalur, duke sfiduar distancat dhe veten në çdo garë ku ka marrë pjesë.
“Gjithmonë kam qenë i shkathët dhe me shokët e lagjes dhe shkollës kam vrapuar në çdo maratonë dhe cross që është zhvilluar me shkollat dhe kam zënë gjithmonë vendet e para, të dyta, dhe të treta.”
Ndër sfidat më të mëdha të tij kanë qenë maratonat e gjata dhe të vështira në Shqipëri, si ajo nga Saranda në Tiranë përmes Muzinës, nga Saranda në Vlorë përmes Llogarasë, si dhe itinerari Sarandë–Përmet.
“Kam vrapuar që në moshën 10 vjeç, kam 48 vite që vrapoj, kam vrapuar në 3 maratona, nga Saranda në Tirane me 9 segmente me kalim nga Muzina, kam vrapuar nga Saranda në Vlore me kalim nga Llogaraja me 5 segmente, dhe Sarandë Përmet.”
Për të, vrapimi nuk është thjesht një aktivitet fizik, por një nevojë e përditshme, një “ushqim për trupin” që i jep jetë.
“Sporti për mua është shëndet dhe jetë, kur vrapoj ndihem shumë i lumtur, dhe e kam të domosdoshme të stërvitem, e kam ushqim stërvitjen dhe jam i detyruar të vrapoj deri në fund sa të kem mundesitë e mia.
E konsideroj sportin si një ushqim për trupin tim që më mban gjallë dhe vrapo vrapo rend o maratonomak, vrapo dhe jeto!”
Së fundmi, më 23 shkurt 2025, ai mori pjesë në Maratonën e Napolit, një garë e fortë prej 21 kilometrash, ku konkurruan 6,034 atletë nga vende të ndryshme të botës. Me fanellën ku shkruhej Saranda, Albania, ai përfaqësoi vendin e tij me krenari dhe arriti një rezultat mbresëlënës, duke zënë vendin e 32-të me kohën 1 orë e 32 minuta – një sukses që për të është një nder i madh.
“Në 23.2.2025 u zhvillua maratona e Napolit 21 kilometra si për femra dhe për meshkuj. Për këtë maratonë u informova nga disa emigrantë shqiptarë që banojnë prej vitesh në Itali, për të marrë pjesë në këtë maratonë. Shkova me dëshirën time me fanelën me mbishkrimin Saranda Albania, dhe në 6034 garues zura vendin e 32 me kohën 1 orë e 32 minuta i cili për mua ishte një vend nderi.”
Por sfidat nuk ndalen këtu. Gara e ardhshme e pret në Firence, ku do të vazhdojë të përfaqësojë Shqipërinë me të njëjtin përkushtim dhe pasion.
“Gara e ardhshme do të zhvillohet në Firence ku edhe atje përsëri do të marr pjesë.”
Mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë.
“Të rinjte sa më shumë duhet të angazhohen me sportin se sporti është jetë, është kulturë, të rinjtë dhe moshat e ndryshme të merren me çdo lloj sporti me ecje me vrapim, me not, pasi sporti të shton jetën.”
Me hapa të sigurt dhe me zemrën plot energji, ai vazhdon të vrapojë, duke dëshmuar se pasioni dhe përkushtimi nuk njohin kufij./abcnews.al

