Policia ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Kurbin. Policia thotë se në pranga ka rënë 28-vjeçari Klaudio Buraku, i cili qarkullonte me armë zjarri, dhe ishte në kërkim për disa vepra penale.
Shërbimet e Policisë kanë marrë informacion se i riu në kërkim po lëvizte me automjet në lagjen nr. 4 të Laçit. Në momentin e ndërhyrjes, policët kanë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe menjëherë kanë ndërhyrë. Në momentin që vuri re prezencën e policisë, i riu ka lëvizur me shpejtësi në tentativë për t’u larguar.
Por gjatë ndjekjes, automjeti është përplasur me makinën e shërbimeve operacioneve të DVP Lezhë. Pas neutralizimi të të riut, policia kreu kontrolle dhe i gjeti 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak. 28-vjeçari ishte në kërkim që nga 2023 për armëmbajtje pa leje, kanosje dhe shkatërrim të pronës.
Nga hetimet e kryera në vendngjarje, dyshohet se para se të ndërhynte policia, për kapjen e të kërkuarit, në automjetin e tij ndodheshin dhe shtetas të tjerë. Gjatë një konfliktit për motive të dobëta, dyshohet se shtetasi Gjim Buraku, i afërm i Klaudio Buraku ka plagosur në këmbë, me armë zjarri pistoletë, shtetasin M.D- 26 vjeç, të cilin shërbimet e Policisë e transportuan menjëherë në spital dhe ai është jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu nga veprimet hetimore dyshohet se Gjim Buraku pasi ka plagosur 26-vjeçarin, ka zbritur nga automjeti që drejtohej nga kushëriri i tij dhe është larguar me shpejtësi me këmbë.
Shërbimet e Policisë, gjatë operacionit të koduar “Hijet”, kanë kapur dhe kanë shoqëruar Gjim Buraku ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e rrethanave të rastit.

